Kryeministri britanik Boris Johnson vazhdoi të bëjë presion të enjten për zgjedhje të parakohëshme të përgjithshme, megjithë disa disfata në parlament dhe dorëheqjen e papritur të vëllait të tij nga posti i ministrit dhe nga parlamenti.

Gjatë një fjalimi në Yorkshire, Johnson këmbënguli se duhet të mbahen zgjedhje të parakohëshme në mënyrë që votuesit të vendosin nëse do të largohen nga Bashkimi Evropian më 31 tetor me ose pa një marrëveshje.

Kur u pyetën nëse ai do t’i kërkonte Bashkimit Evropian të zgjasë afatin e Brexit, zoti Johnson e hodhi poshtë kategorikisht një mundësi të tillë, duke shtuar se një vonesë “nuk do të zgjidhte asgjë”.

Kryeministri akuzoi kundërshtarët e tij politikë për mbështetje të një legjislacioni që do të “sabotonte fuqinë tonë negociuese” dhe do t’i dorëzonte “të drejtat e popullit britanik” BE-së.
Komentet e zotit Johnson erdhën vetëm disa orë pasi vëllai i tij njoftoi në Twitter se po jepte dorëheqjen për shkak të konfliktit mes lidhjeve familjare dhe shërbimin ndaj Britanisë.

“Javët e fundit, jam gjetur në mes të besnikërisë ndaj familjes dhe interesit kombëtar – është një tension i papërballueshëm dhe ka ardhur koha për të tjerët që të marrin rolet e mia si deputet dhe Ministër”, tha ai.

Dorëheqja e tij pason përjashtimin nga vëllai i tij të 21 ligjvënësve nga Partia Konservatore, e cila mbetet e përçarë në lidhje me strategjinë e kryeministrit për t’u tërhequr nga Bashkimi Evropian më 31 tetor me ose pa një marrëveshje.

Boris Johnson pësoi një tjetër disfatë të mërkurën kur Dhoma e Komuneve votoi në favor të një mase që detyronte qeverinë të kërkonte nga BE-ja që të shtyjë Brexitin për tre muaj të tjerë nëse zoti Johnson nuk arrin marrëveshje për daljen deri në afatin e 31 tetorit.

Kjo ishte humbja e tretë madhore e zotit Johnson lidhur me Brexit-in brenda dy ditësh.

Ndërkohë, Kryeministri britanik u takua të enjten Londër me nënpresidentin amerikan Mike Pence. Gjatë një vizite në Dublin të martën me kryeministrin irlandez Leo Varadkar, zoti Pence tha se Shtetet e Bashkuara mbështesin vendimin e Britanisë për t’u larguar nga BE-ja dhe u bëri thirrje vendeve të tjera anëtare të “negociojnë në mirëbesim” me Britaninë.

Të mërkurën, Presidenti amerikan Donald Trump shprehu besim te zoti Johnson, duke thënë “ai di si të fitojë”. Ai shtoi, “Mos u shqetësoni për të. Ai do të jetë në rregull.”

Ekonomistët britanikë thonë se largimi nga BE-ja pa marrëveshje do të shkatërronte ekonominë britanike dhe ndoshta do të sillte recesion.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb