TIRANE – Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, në kuadrin e vizitës zyrtare në Bullgari, u takua edhe me Kryeministrin e Republikës së Bullgarisë, Boyko Borissov, me të cilin bisedoi për mundësitë e bashkëpunimit dypalësh e shumëpalësh mes dy vendeve në frymën e miqësisë tradicionale që ekziston.
Kreu i Shtetit i shprehu edhe Kryeministrit bullgar ndjenjat e mirënjohjes së shqiptarëve për mbështetjen që Bullgaria i ka dhënë Shqipërisë në procesin e Integrimit Evropian, duke evidentuar edhe besimin se kjo ndihmë nuk do të mungojë edhe për hapjen e negociatave të aderimit për në BE.

Gjithashtu, Presidenti Nishani, duke iu referuar eksperiencës më të fundit bullgare të anëtarësimit në BE u shpreh se: “eksperienca që ju keni fituar gjatë anëtarësimit në Bashkimin Evropian do ta ndihmonte shumë Shqipërinë që të ecte më shpejt në këtë drejtim”.

Nga ana e tij, Kryeministri Borissov u shpreh i gatshëm për të ndihmuar me ekspertizë, veçanërisht në kuadrin e hartimit të projekteve zhvillimore që mund të mbështeten nga Bashkimi Evropian, domen ku Bullgaria është shumë eficente dhe e suksesshme.

Të dy bashkëbiseduesit i kushtuan një vëmendje shumë të veçantë bashkëpunimit ekonomik, duke theksuar se ky bashkëpunim megjithëse ishte nga të parat e suksesshme në fillim të viteve ’90, sot ai nuk i përgjigjet aspak nivelit shumë të mirë të marrëdhënieve politike mes dy vendeve.

Kryeministri bullgar Borissov shprehu mbështetjen e tij dhe të Bullgarisë për Korridorin 8, duke e konsideruar atë si një korridor shumë të rëndësishëm për zhvillimin jo vetëm të tre vendeve nga ai kalon, Shqipëri, Maqedoni dhe Bullgari, por edhe të të gjithë rajonit, duke përfshirë edhe vende të tjera jashtë tij. “Ndërtimi i Korridorit multimodal 8 duhet të jetë një prioritet për qeveritë tona.” – u shpreh Kryeministri Borissov.

Presidenti Nishani shprehu besimin se me vullnetin politik që të dy vendet kanë, bashkëpunimi në të ardhmen do të jetë më intensiv dhe më konkret veçanërisht në aspektin ekonomik, ku një vëmendje e veçantë mund t’i kushtohet bashkëpunimit në fushën energjetike, të bujqësisë, turizmit, infrastrukturës, etj. Të dy bashkëbiseduesit vlerësuan organizimin, në kuadrin e vizitës zyrtare të Presidentit Nishani në Bullgari, të Forumit të Përbashkët Ekonomik Bullgari-Shqipëri, duke theksuar se aktivitete e forume të tilla i sjellin më afër përfaqësuesit e bizneseve të të dy vendeve.

Gjatë bisedës, vëmendje iu kushtua edhe çështjes së emigracionit nga vendet në konflikt si dhe rreziqet nga terrorizmi dhe ekstremizmi ndërkombëtar.
(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: