Kryeministri i Greqisë Kyriakos Mitsotakis, bëri një vlerësim se kur industria e ushqimit, e cila është prekur rëndë nga pandemia, do të rihapet.
“Restorantet do të hapen pas Pashkëve, nëse e lejojnë të dhënat epidemiologjike”, tha në diskutimin e tij nga foltorja e Parlamentit, Kryeministri Kyriakos Mitsotakis.

Ndërkohë që duke nisur nga e shtuna e 3 prillit, do të ketë pak lehtësira në Greqi, sa i takon situatës së COVID-19. Mediat greke shkruajnë se qarkullimi do të lejohet për të lëvizur nëpër qytet, por edhe për të ndjekur aktivitetet sportive.

Sipas njoftimit të ri, familjet që duan të dalin shëtitje mund ta marrin lejen me anë të një SMS-je, por ama, e kanë të detyrueshme mbajtjen e maskave mbrojtëse. Të hënën e 5 prillit do të hapen dyqanet e vogla, ndërsa mbyllur do të vijojnë të qëndrojnë qendrat tregtare.

Javën e ardhshme autoritetet do të nisin testimin masiv në të gjitha shkollat e mesme të vendit, ku do të testohen nxënësit dhe mësuesit, me synimin që me 12 prill, të rihapen të gjitha gjimnazet e vendit.

Këto masa janë shpallur dy ditë më parë nga zv. ministri i Mbrojtjes Sociale, Nikos Chardalias dhe ministri i Shëndetësisë, Vasilis Kikilias.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb