Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka zhvilluar një bisedë me Komisionerin për Zgjerim, Oliver Varhelyi, për zhvillimet aktuale politike në vend dhe situatën me pandeminë Covid-19.

Mes të tjerash, kryeministri Hoti thekson se ka folur me Komisionerin Varhelyi për vaksinën anti-Covid, duke thënë se ky i fundit e ka siguruar që do të arrijnë në Kosovë në të njëjtën kohë sikurse në vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor.

Mesazhi i Hotit:

Me Komisionerin për Fqinjësi dhe Zgjerim z. Oliver Varhelyi, kam biseduar për zhvillimet aktuale politike në vend dhe situatën me pandeminë Covid-19.
E kam siguruar z. Varhelyi, se Kosova do të vazhdoj të ketë stabilitet institucional dhe fiskal, do ta trajtoj me prioritet menaxhimin e pandemisë Covid-19 si dhe do t’i kryej të gjitha obilimet që dalin karshi procesit të integrimit të vendit në Bashkimin Evropian. Poashtu e falënderova z. Varhelyi, për përkrahjen në lansimin dhe zbatimin e Agjendës për Reforma Evropiane – ERA 2.

Sa i përket vaksines kundër Covid-19, z. Varhelyi më siguroi se, një sasi e saj do të arrijnë në Kosovë në të njëjtën kohë sikurse në vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor. Ngritëm shqetësimin për hyrjen ilegale të vaksinës kundër Covid-19 në Kosovë, pa procedura të rregullta të importit apo donacionit për produkte medicinale, për të cilat nuk dihet as origjina. Këtë sjellje të Republikës së Serbisë e konsiderojmë të papranueshme dhe institucionet e Kosovës kanë inicuar veprimet e nevojshme ligjore ndaj personave të përfshirë në këto veprime. Z. Varhelyi e sigurova se në kuadër të planeve për vaksinim janë përfshirë të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës, pa asnjë dallim.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb