Kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban pohoi se nga buxheti i Bashkimit Evropian (BE) nuk duhet t’i jepet as një cent refugjatëve, transmeton Anadolu Agency (AA).

Orban i cili njihet me politikat e tij kundër refugjatëve, kërcënoi BE-në në fjalimin e tij javor në radion shtetërore Kossuth.

Ai tha se vendi i tij do të votojë kundër Këshillit të BE-së në rast se nuk do të jetë i kënaqur nga buxheti i BE-së që mbulon vitet 2021-2027.

“Mendojmë se (BE-ja) nuk duhet t’i japë as një cent refugjatëve”- tha Orban, duke theksuar se anëtarët e tjerë nëse dëshirojnë munden t’i mbështesin refugjatët nga buxhetet e tyre kombëtare.

Ai vlerësoi se fondet e BE-së nuk duhet t’i jepen “shteteve që i pranojnë refugjatët” duke shkurtuar fondet në lidhje me zhvillim rajonal dhe hulumtim.

Orban duke theksuar se do të mbrojë sovranitetin e vendit të tij, në lidhje me zyrtarët evropianë tha se “Ne jemi demokratë, ndërsa ata burokratë”.

Shtetet e Evropës Jugore të cilët përballen me problemin e refugjatëve, mbështesin që Komisioni Evropian duhet të shpenzojë nga buxheti i bashkimit për të zgjidhur problemin e migrimit, ndërsa shtetet e Evropës Lindore në krye me Hungarinë e kundërshtojnë këtë.

Që të hyjë në fuqi buxheti 2021-2027 i paraqitur nga Komisioni i BE-së duhet të miratohet nga të gjithë shtetet e BE-së.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb