Kryeministri italian, Mario Draghi tha të mërkurën (6 prill) se ndalimi i importeve të gazit nga Rusia nuk po konsiderohet në nivel të BE-së, por nëse arrihet një konsensus për këtë çështje, Italia do të pajtohet me të.

“Një embargo gazi nuk është ende në tryezë dhe nuk e di nëse do të jetë ndonjëherë,” u tha Draghi gazetarëve në një konferencë shtypi.

Ai tha se nëse flukset e gazit nga Moska do të pezulloheshin, Italia kishte ende rezerva për të mbuluar nevojat e saj deri në fund të tetorit.

Italia është shumë e varur nga Rusia për furnizimet e saj me gaz, por Draghi tha se nëse shfaqet një konsensus në nivelin e BE-së për të bllokuar importet e gazit, “ne do të jemi krejtësisht të lumtur ta respektojmë”.

Presidenti rus, Vladimir Putin, tha më 31 mars se ka nënshkruar një dekret ku thuhet se blerësit e huaj duhet të paguajnë në rubla për gazin rus nga 1 prilli dhe kontratat do të ndërpriten nëse këto pagesa nuk do të kryhen.

Vendet e Bashkimit Evropian përveç Hungarisë e kanë kundërshtuar këtë formë të pagesës.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb