“Në samitin e Zagrebit, në maj, kemi ambicien dhe qëllimin e qartë për hapjen e negociatave me Shqipërinë dhe MV”, deklaroi kryeministri kroat, Andrej Plenkoviç.

“Ne do të këmbëngulim për këtë. Ne shkojmë në mënyrë ambicioze në samitin e Zagrebit, me qëllimin e qartë për fillimin e negociatave me Shqipërinë dhe MV”, theksoi Plenkoviç.

Sipas tij, përvoja e Kroacisë thotë se kur negociohet nuk shihet menjëherë hapi i ardhshëm, menaxhimi ekonomik që, sipas tij, për momentin nuk është mjaft e dukshme në negociatat për aderim.

Kryeministri kroat shtoi se nga samiti BE-Ballkani Perëndimor në Zagreb majin e ardhshëm ka dëshirë të japë dy porosi të rëndësishme, e para që në të gjitha samitet takimet të bëhen në mënyrë sistematike dhe e dyta që të bëhet gjithçka që është në metodologjinë për aderim në Union, pasi kjo shërben si nxitje më e madhe për vendet kandidate.

Më 1 janar, Kroacia mori presidencën e radhës të Këshillit të Bashkimit Europian nga Finlanda, gjashtë vjet e gjysmë pas hyrjes në union.

Fillimi i presidencës kroate do të bëhet zyrtarisht më 9 janar, kur anëtarët e Komisionit Europian do të shkojnë në Zagreb dhe kur një koncert me atë rast do të mbahet në Teatrin Kombëtar Kroat.

Një koncert do të mbahet gjithashtu në Bruksel më 15 janar për të shënuar fillimin e presidencës kroate dhe kjo do të përkojë me përvjetorët e njohjes ndërkombëtare të Kroacisë, më 15 janar 1992.

Më 9 janar Zagrebi do të presë një takim të Komisionit Europian nën kryesimin e presidentes, Ursula von der Leyen.

Presidenca e BE-së shihet si një mundësi edhe për ta bërë shoqërinë kroate më të ndjeshme ndaj temave të unionit.

“Një Europë e fortë në një botë sfidash” është slogani që Kroacia ka zgjedhur për presidencën e saj.

Programi i presidencës së saj në BE bazohet në katër shtylla: Një Europë që po zhvillohet; Një Europë që po lidhet; Një Evropë që po mbron dhe një Evropë me ndikim.

Në gjashtë muajt e ardhshëm, rreth 1 400 takime do të mbahen në nivele të ndryshme dhe shumica e tyre do të zhvillohen në Bruksel./ATSH

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb