Abdul Hamid Mohammed Dbeibah, kryeministri i ri i Qeverisë së Përkohshme të Unitetit Kombëtar të Libisë i cili u zgjodh në këtë detyrë më 5 shkurt, tha se do të jenë në solidaritet me Turqinë “mike dhe aleate” dhe se do të punojnë për ndërtimin e paqes mes palëve në vend dhe për zgjidhjen e problemeve kryesore me të cilat përballen.

Një ditë pas fillimit të detyrës, kryeministri libian intervistën e tij të parë e ka dhënë ku ai foli lidhur për prioritetet e qeverisë së re, ndërtimin e paqes së brendshme në vend, hetimin e fajtorëve të luftës dhe marrëdhëniet Turqi-Libi në periudhën e re.

Dbeibah i cili u zgjodh kryeministër pas votimit nga 74 anëtarët e Forumit Libian për Dialog Politik që u mblodh në Zvicër në datat 1-5 shkurt nën kryesimin e Kombeve të Bashkuara, do të drejtojë Libinë deri në zgjedhjet e ardhshme të cilat në kuadër të forumit janë planifikuar të mbahen më 24 dhjetor 2021.

Duke pritur në aeroportin “Mitiga” të kryeqytetit Tripoli, anëtarët e Forumit Libian për Dialog Politik që u kthyen dje nga Zvicra, Dbeibah në vlerësimin e tij lidhur me ecurinë e forumit nën kryesimin e OKB-së tha:

“Anëtarët e Forumit Libian për Dialog Politik përbëhen me pjesëmarrje nga çdo rajon i Libisë. Për këtë arsye është përfaqësues për të gjithë pozitën gjeografike, fiset dhe shtresat e Libisë. Ata morën një vendim të rëndësishëm për ndryshim paqësor, demokratik dhe të lirë në mënyrë të që të jetë në shërbim të Libisë dhe popullit libian. E gjithë bota ishte dëshmitare e këtij vendimi përmes mediave audio-vizive. Edhe ne i mirëpritëm ata për t‘i nderuar”, tha Dbeibah.

“Ishin të gëzuar për rezultatet që kishin marrë në Forumin Libian për Dialog Politik. Në të vërtetë unë njoh vetëm shumë pak prej tyre”, tha ai duke i pritur në mënyrë të ngrohtë në aeroport anëtarët e forumit.

Kryeministri libian bëri të ditur se në kuadër të zbatimit të vendimeve të marra në Forumin Libian për Dialog Politik duhet të formojnë qeverinë pas 3 javësh dhe se do t‘ia paraqesin Parlamentit libian për të marrë votëbesimin.

Qeveria teknokrate

Në pyetjen nëse do të jenë të pranishëm apo jo emra nga ish-qeveria në kabinetin e tij, Dbeibah u përgjigj: “Mundet. Ne do të jemi një qeveri teknokrate që bazohet në merita dhe provon veten me fuqinë e saj të veprimit dhe në qeveri do të jenë të pranishëm emra që përputhen me këtë. Të gjitha shtresat e Libisë do të përfaqësohen në mënyrë të drejtë. Por, në qeveri do të fokusohemi në teknokraci”.

Përparësitë e qeverisë së re: vaksinat, energjia elektrike, kushtetuta e re dhe “komisionet e paqes”

Në vlerësimin e tij se cilat do të jenë prioritetet e qeverisë së re, Dbeibah vuri në dukje se fillimisht do t‘i kushtojnë rëndësi furnizimit me vaksinat kundër COVID-19.

Në mesin e prioriteteve, Dbeibah ka shtuar edhe problemin me ndërprerjet e energjisë elektrike të cilat arrijnë deri në 5 orë në të gjithë Libinë dhe e cila është në krye të problemeve më të mëdha që vështirësojnë jetën e libianëve.

“Prioritet i qeverisë sonë fillimisht do të jetë COVID-19. Ashtu sikurse për popujt e të gjithë botës edhe për popullin e Libisë kjo është një çështje e rëndësishme. Do të bëjmë më shumë që libianët të përfitojnë qasje në vaksinë. Më pas do të interesohemi për problemet ditore dhe vështirësitë jetësore që përjetohen në çështjet si energjia elektrike dhe shëndetësia. Më pas do të mendojmë për formimin e komisioneve të paqes dhe përgatitjen e kushtetutës me Këshillin Presidencial”, deklaroi Dbeibah.

Ndërsa në pyetjen për përmbajtjen e planit për formimin e “Komisioneve të Paqes”, Dbeibah tërhoqi vëmendjen mbi rëndësinë e sigurimit të paqes për zgjidhjen e krizës në Libi.

Duke vënë në dukje se këto komisione do t‘i formojnë për “ndërtimin e paqes mes libianëve brenda vendit”, Dbeibah shtoi më tej:

“Populli, fiset dhe shtresat që kanë armiqësi dhe mosmarrëveshje mes tyre do të mblidhen. Do të formojmë buxhet për dëmshpërblimin e dëmeve të tyre. Këtë vit në një kohë të shkurtër (deri në zgjedhjet më 24 dhjetor) shpresojmë se do ta shohim afrimin në Libi. Pikëpamjet e libianëve do t’i afrojmë me njëri-tjetrin në nivelin më të përparuar. Vetëm falë kësaj mund të shkojmë pa dhunë, pa luftë dhe pa ndarje në mes qyteteve të bashkuar në zgjedhje. Do të vizitojmë dhe do të punojmë në të gjitha qytetet e Libisë sa të jetë e mundur. Qeveria e Unitetit Kombëtar do të jetë në kuptimin e plotë të fjalës Qeveria e Unitetit Kombëtar të Libisë”.

Marrëdhëniet me rajonin lindor

Dbeibah ka komentuar edhe qëndrimin ndaj qeverisë së ashtuquajtur qeveria e drejtuar nga Abdullah al-Thinni e cila është formuar në rajonin lindor që kontrollohet nga Khalifa Haftar, lideri i forcave jolegjitime në Libi.

Ai ka folur edhe për deklaratën e bërë dje nga qeveria Thinni e cila nuk njihet ndërkombëtarisht dhe e cila ka thënë se “Do të vazhdojmë detyrën dhe se fjala e fundit i përket Dhomës së Përfaqësuesve në Tobruk”.

“Qeveria jonë duhet të marrë miratimin nga Dhoma e Përfaqësuesve (në Tobruk). Nga kjo pikëpamje është një shprehje e logjikshme që (Thinni) të thotë se do të presë qeverinë. Sipas asaj që duket, Dhoma e Përfaqësuesve ka njoftuar se i ka mirëpritur rezultatet që dolën nga Forumi Libian për Dialog Politik. Vendimi është vendim i libianëve. Populli i Libisë e ka pritur me gëzim dhe lumturi zgjedhjen e kësaj qeverie. Edhe ata (Dhoma e Përfaqësuesve) janë një pjesë e popullit libian. Nuk mendoj se është e mundur që do të hyjnë në një rrugë jashtë vijës së përcaktuar nga zgjedhja e popullit”, tha Dbeibah.

Marrëdhëniet me Turqinë

Dbeibah ka vlerësuar edhe marrëdhëniet Libi-Turqi në periudhën e re ku ai vuri theksin se mes dy vendeve do të ketë “solidarizim”.

“Me popullin dhe shtetin turk do të kemi një solidarizim të madh. Turqia është vend vëllazëror, mik dhe aleati ynë. Gjithashtu kanë mundësi të mëdha në mbështetjen që libianët të arrijnë objektivat e tyre të vërteta. Turqia për ne është partneri ynë i vërtetë”, theksoi Dbeibah.

Në pyetjen se si i vlerëson si një biznesmen marrëdhëniet tregtare mes Turqisë dhe Libisë, Dbeibah tha:

“Turqia është një vend që e ka dëshmuar veten jo vetëm në Libi por edhe në botë. (Në periudhën e luftës) Turqia ishte vendi i vetëm ku libianët mund të udhëtonin lirisht, që hapi aeroportin e saj dhe që mbajti hapur ambasadën e saj në Tripoli. Besoj se mes popujve të Turqisë dhe Libisë do të ketë një solidarizim të madh në fushën ekonomike. Shpresoj që do ta rrisim në nivelet më të larta këtë solidarizim duke e zhvilluar dhe duke rritur vëllimin tregtar”.

Hetimi i fajtorëve të luftës

Dbeibah bëri të ditur se çështja me milicët e Khalifa Haftarit në Libi është sjellë në rend dite edhe nga Gjykata Ndërkombëtare Penale dhe mbahen përgjegjës për krime të luftës si varrezat masive në qytetin Tarhunah, ekzekutime pa gjyq, zhvendosjen e qindra mijëra libianëve brenda vendit, vendosjen e kurtheve të minave në vendbanimeve civile.

Në përgjigjen se çfarë hapash do të hedhin lidhur me çështjen e llogaridhënies së përgjegjësve për krimet e luftës që janë një prej temave që edhe opinioni libian ka qëndruar gjatë procesit të dialogut, Dbeibah deklaroi:

“Me fajtorët e luftës do të merret autoriteti dhe organet ligjore. Por, ndodhemi në një fazë të vështirë për ndërtimin e paqes në Libi. Që të dy palët duhet të bëjnë tolerime. Ndërsa ata që i shikojnë krimet të fiksuara do të përballen me gjyqësorin dhe drejtësinë. Nuk mund të jemi ekstremistë as ne në qëndrimin tonë dhe as ata në qëndrimin e tyre. Ne dëshirojmë një paqe të vërtetë mes palëve libiane”.

Kush është kryeministri libian Abdul Hamid Mohammed Dbeibah?

Dbeibah ka lindur në vitin 1958 në qytetin Misrata i cili konsiderohet si kalaja e revolucionit në Libi dhe ka mbështetjen e fiseve në perëndim të vendit.

Në Libinë ku lufta dhe krizat politike kanë pushtuar rendin e ditës për vite, Dbeibah nuk njihej nga opinioni publik deri në procesin kur ai u zgjodh kryeministër dhe ai më shumë njihej si një biznesmen me shumë ndikim.

Dbeibah që nga viti 2006 e deri më tani kryeson kompaninë e investimeve dhe zhvilliit (LIDCO) e cila konsiderohet si një prej kompanive më të mëdha të ndërtimit në Libi dhe ndërkohë ai është president i Etihad, një prej klubeve më kryesore të futbollit në vend.

Dbeibah ka përfunduar arsimin e lartë dhe masterin në Kanada për inxhinieri, ndërkohë edhe të afërmit e tij për të përdorin pseudonimin “inxhinieri”. Fëmijët e kryeministrit libian thuhet se kanë shtetësi kanadeze.

U zgjodh qeveria e re e përkohshme e Libisë

Si rezultat i votimit nga anëtarët e Forumit Libian për Dialog Politik nën kryesimin e Kombeve të Bashkuara, Mohammad Younes Menfi u zgjodh në krye të Këshillit Presidencial në Libi dhe Abdul Hamid Mohammed Dbeibah në detyrën e kryeministrit dhe do të kryejnë këto detyra deri në zgjedhjet që janë paraparë të mbahen në vend më 24 dhjetor 2021

Në votimin e zhvilluar sipas mënyrës së listës, thuhet se lista ku krahas Menfi dhe Dbeibah përfshihen si ndihmës të Këshillit presidencial Mossa Al-Koni dhe Abdullah Hussein Al-Lafi mori 39 vota nga gjithsej 74 anëtarë.

Ndërsa lista tjetër që mbeti në raundin e dytë e përbërë nga Akile Saleh, Fethi Bashaga, Usame Juveyli dhe Abdulmecid Seyfunnasr mbeti në 34 vota.//AA

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb