Kryeministri i ri i Pakistanit, Imran Kahn ka bërë thirrje për lidhje më të besueshme me Shtetet e Bashkuara, të cilat janë tensionuar pas akuzave amerikane, se Pakistani është duke iu ndihmuar kryengritësve islamikë të kryjnë luftë në Afganistan.


Islambadi në anën tjetër mohon çdo përfshirje.

Khan, që pritet të betohet si kryeministër javën tjetër, është takuar me ambasadorin amerikan në Pakistan, John F. Hoover të mërkurën, për të diskutuar uljet dhe ngritjet në marrëdhëniet në mes të dy vendeve raporton Radio Evropa e Lirë.

Muaj më parë Uashingtoni ka pezulluar ndihmën dhe asistencën ushtarake në Pakistan.

“Partia ime kërkon të ndërtojë marrëdhënie të mira me Shtetet e Bashkuara duke u bazuar në respekt të dyanshëm andaj Qeveria jonë do të bashkëpunojë me SHBA-në për ta bërë këtë marrëdhënie më të balancuar dhe më të besueshme”, ka njoftuar përmes një deklarate partia Tehreek-e-Insaf (PTI), duke ia atribuuar komentet Khanit.

Khan ka shtuar se ekziston një nevojë për të “transformuar” lidhjet diplomatike në mes të dy vendeve.

Në muajin janar, presidenti amerikan, Donald Trump ka ashpërsuar tonet kundër Pakistanit, duke e akuzuar këtë vend se po luan “lojë të dyfishtë” në luftimin e terrorizmit.

Në po të njëjtin postim në Twitter, presidenti Trump ka thënë se SHBA-ja është shpërblyer me “asgjë tjetër përveç gënjeshtrave dhe mashtrimit”, pavarësisht se i ka dhënë këtij vendi më shumë se 33 miliardë dollarë në 15 vjetët e fundit.

Etiketa: