TIRANË– Kryeministri italian Matteo Renzi ndodhet sot në Tiranë për një vizitë zyrtare ndërsa është takuar me kryeministrin Edi Rama, takim që është pasuar nga një konferencë e përbashkët për shtyp. Gjatë kësaj konference kryeministri Edi Rama njoftoi se taksa e transportit të mallrave nga Shqipëria drejt Italisë, që ekzistonte që prej viteve ‘50, ka zbritur në nivelin normal. Gjithashtu në konferencën e përbashkët u njoftua edhe hapja e negociatave për njohjen e pensioneve të emigrantëve. Të dy kryeministrat kanë vlerësuar operacionin dhe bashkëpunimin për shpëtimin e më shumë se 400 personave të anijes “Norman Atlantic”. Gjithashtu Rama dhe Renzi kanë konfirmuar bashkëpunimin ekonomik mes dy vendeve.

“Lajm i mire për një grup interesi që kërkon zgjidhjen e çështjes së mbartur qysh në vitet ‘50. Taksë absurde, mbi transportuesit e mallrave nga Shqipëria drejt Italisë. Kjo taksë ka mbetur në fuqi sot për 3 vende në një inerci absurde, Shqipëria, Irani dhe Siria. Me shumë kënaqësi iu përcjell të interesuarve, dhënien  e zgjidhjes duke bërë që nga janari kjo taksë të  bjerë në nivelin normal të taksës që paguajnë të gjithë auto-transportatorët që çojnë mallra drejt Italisë”, tha Rama.

Për të njëjtën çështje kryeministri italian, Matteo Renzi tha se “tashmë është ligj, do të hyjë në fuqi, ministri Lupi na premtoi se do të bëhet i mundur dekreti. Problemi është zgjatur nga viti ‘54, na u deshën 60 vjet por më në fund e zgjidhëm”.

Kryeministri Rama u shpreh mirënjohës për bindjen e shprehur më shumë se njëherë nga kryeministri italian për domosdoshmërinë e integrimit një orë e më parë të Shqipërisë në BE. Rama tha se marrëdhënia mes Shqipërisë dhe Italisë, është një marrëdhënie speciale historike, tradicionale e çuar përpara nga të gjitha qeveritë e Romës apo Tiranës, pavarësisht përkatësive politike.

“Jam i lumtur posaçërisht, pasi kjo është një marrëdhënie speciale mes meje dhe Kryeministrit të Italisë, që njihemi prej kohësh dhe ndajmë të njëjtat pikëpamje për botën, shoqërinë dhe domosdoshmërinë për lëvizjen me shpejtësi përpara të së majtës, për të cilën sot ka më shumë se më parë nevojë shoqëria dhe Evropa”, tha kryeministri Rama.

Ai falënderoi kryeministrin italian për gjithçka Italia bëri këto gjashtë muajt e presidencës së BE, por duke i shprehur dhe mirënjohjen për mbajtjen lart të flamurit të evropeizmit. “Vendosëm dhe piketat për të çuar më tutje bashkëpunimin tonë në nivelin bilateral, por dhe aspektin e përpjekjeve që Shqipëria po bën për të luajtur një rol në nivelin rajonal”, u shpreh Kryeministri Rama.

“Ndamë bashkëpunimin më të fundit për shpëtimin e njerëzve pas fatkeqësisë në anijen ‘Norman Atlantic’, dhe falë impenjimit në vijë të parë të kryeministrit italian nuk u transformua në një tragjedi me përmasa të paparashikueshme”, tha Rama.

HAPJA E NEGOCIATAVE PËR NJOHJEN E PENSIONEVE TË EMIGRANTËVE

Ndërkohë Shqipëria ka hapur negociatat me Italinë për njohjen e pensioneve të emigrantëve tanë në vendin fqinj. Këtë e bëri të ditur sot kryeministri Edi Rama.

“Biseduam edhe për hapjen e negociatave për njohjen e negociatave për njohjen e pensioneve. Një punë e admirueshme është bërë gjatë këtij viti duke adresuar një problem të madh për emigrantët shqiptarë që punojnë në Itali. Edhe Italia kërkon njohjen e pensioneve për rreth 20 mijë italianë që punojnë në Shqipëri”, tha Rama.

Duke i uruar homologut Italian, Vitin e Ri, Kryeministri Rama e falënderoi për angazhimin duke mos lejuar mbylljen e katedrës së Albanologjisë në Universitetin e La Sapienzës.

Ndërsa, Kryeministri italian, Matteo Renzi theksoi se “Shqipëria sot është në Evropë, nuk është brenda vendeve anëtare, por është në Evropë”.

“Sot bëhet fjalë për të hapur dyert e shtëpisë evropiane dhe duhet ta bëjmë këtë sepse kjo gjë i shërben Italisë, Shqipërisë dhe Evropës. Është thelbësor roli i Shqipërisë në marrëdhëniet me Italinë. Nuk është e rastësishme që ndodhemi këtu. Ka ndryshuar marrëdhënia mes komunitetit shqiptar dhe atij italian. Kjo është një histori integrimi dhe suksesi. Për ne sot Shqipëria është një partner i natyrshëm dhe ka një lideriship të mençur që po çon përpara reformat që i shërbejnë Shqipërisë dhe jo pse këtë e thotë Evropa, por se me të vërtetë i shërbejnë Shqipërisë”, tha Renzi.

Kryeministri Renzi tha se bashkëpunimi mes ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme italiane dhe shqiptare është i madh.

“Historia nuk mbaroi pas rënies së Murit të Berlinit. Historia nuk mbaroi por ndryshoi gjeografia. Rajoni i Ballkanit e di shumë mirë se sa ka ndryshuar gjeografia. Italia dhe Shqipëria miqësi të veçantë. Mbështesim rrugëtimin evropian të Shqipërisë. Miqësia mes dy popujve duhet të fuqizohet. Evropa është shtëpia e shpresës dhe nuk ka vetëm detyrime”, tha kryeministri italian.

Përsa i përket konsideratës që Italia ka për Shqipërinë, Renzi e ka quajtur thelbësor rolin e Shqipërisë dhe të natyrshme dialogun mes dy vendeve.

“Është thelbësor roli i Shqipërisë, nuk është rastësi që ndodhemi këtu. Në disa vite ka ndryshuar tërësisht marrëdhënia mes dy vendeve. Për ne Shqipëria është një partner i natyrshëm dhe ka një rol të rëndësishëm për rajonin. Për ne ju jeni bashkëbisedues të natyrshëm. Kjo është diçka e bukur. E gjej të vlerësueshëm faktin e integrimit të komuniteteve tona. Kemi folur për disa mundësi dhe perspektiva ekonomike”, deklaroi Renzi.

Në të njëjtën linjë ka qenë edhe deklarata e kryeministrit Rama, i cili tha se “bashkëbisedimi për bashkëpunimin ekonomik mes dy vendeve është intensiv dhe krejt i natyrshëm”. Rama ka vlerësuar dhe falënderuar edhe punën e ambasadorit italian Massimo Gaiani.

“Me shumë dinjitet ambasadori Gaiani na ndihmon në komunikimin tonë me ndërmarrjet italiane. Jam i bindur se nëse ambasadori do të kërkonte nënshtetësinë shqiptare do të ishim gati, dhe do ti propozonim dhe një vend si ambasador të Shqipërisë në Romë. Megjithatë nuk do të doja ta vija në vështirësi Matteon këtu duke ju thënë sipërmarrësve italianë, hajdeni në Shqipëri se nuk ka sindikata”, tha Rama, ndërsa kryeministri Renzi e ka quajtur një shaka këtë të fundit.

OPERACIONI PËR “NORMAN ATLANTIC”

Duke u ndalur tek bilancet e ngjarjes së anijes “Norman Atlantic”, por edhe tek çështjet e sigurisë në Adriatik, si Renzi ashtu edhe Rama thanë se u shmang një katastrofë me përmasa shumë tragjike.

“Ne jemi shumë afër me lutje, me solidaritet pranë familjeve të viktimave dhe natyrisht edhe pranë familjeve të bashkëkombasve tanë dhe gjithë qytetarëve të prekur nga ngjarja e “Norman Atlantic”. Mendimi im me familjet e marinarëve turq që vdiqën në afërsi të Ravenës. Falenderoj kryeministrin Rama për bashkëpunimin. Edhe me kryeministrin e Greqisë, Samaras, bashkëpunimi ishte shumë i mirë. Mendimi im edhe për dy marinarët shqiptarë që humbën jetën. Pati momente heroike, më shumë se 400 jetë të shpëtuar në kushte moti të tmerrshme. Sigurisht kjo nuk e humb faktin e humbjes së jetëve. Situata ishte shumë e rëndë, u bë një punë shumë e madhe. I takon prokurorisë të hetojë. Italia dhe Shqipëria dha prova të një eficence shumë të mirë. Parandaluam një masakër të vërtetë. Në ditët që do të vijojnë dua të takoj dhe pilotin e helikopterit që për orë të tëra bëri vajtje-ardhje. Faleminderit autoriteteve shqiptare”, tha Renzi.

Ndërsa kryeministri Rama shprehu edhe njëherë ngushëllimet për humbjen e jtëve të dy marinarëve shqiptarë.

“Sot mësuam lajmin e humbjes së jetëve të dy marinarëve të rimorkiatorit shqiptar, jo pjesë e FA-ve. I shpreh ngushëllime familjeve të tyre. E kam ndjekur orë pas ore zhvillimin e ngjarjeve, i detyrohemi një shprehje falënderimi Renzit, në mënyrën se si udhëhoqi një operacion shumë të vështirë, duke patur parasysh kushtet e jashtëzakonshme të motit. Dua të shpreh krenarinë për FA-të, për Ministren e Mbrojtjes dhe Ministrin e Brendshëm, që qëndruan në lartësinë e sfidës, duke dhënë ndihmesë të vyer në operacionin që përfshiu 3 vende. Duke parë nga brenda zhvillimin e operacionit, është shmangur një katastrofë që do të kishte përmasa të jashtëzakonshme”, tha Rama.

RRITJA EKONOMIKE

Më tej kryeministri shqiptar duke u ndalur tek kriza greke, theksoi se rruga e reformave është e pashmangshme. “Përsa i takon krizës greke, e kam ndjekur jo pa admirim lëvizjet e kryeministrit grek Samaras. Ajo çka ka treguar kjo periudhë e vështirë jo vetëm për Greqinë, është që rruga e reformave është pashmangshme dhe sot është koha që të bëhen reforma që qeveritë e mëparshme ua kanë pasardhësve”, tha Rama.

Kryeministri shtoi se “Shqipëria është sot në kushtet e rimarrjes së ngritjes ekonomike”, ndërsa kjo ngritje nuk bazohet më tek reminitancat dhe tek ndërtimet, por tek burimet prodhuese.

“Vitin e kaluar e mbyllëm me një program shumë agresiv reformash. Jam shumë krenar që deri nesër paradite ne do të kemi shlyer 400 milion dollarë dhe vitin e ardhshëm do të kemi shlyer të gjithë borxhin ndaj kompanive. Kemi krijuar kushtet që të krijohet një model i ri zhvillimi. Shqipëria ka qenë në bazuar në dy pika për zhvillimin e saj: Dërgesat e emigrantëve që kanë rënë në mënyrë drastike dhe Bumi i ndërtimeve. Të dyja këto nuk mund të konsiderohen burime rritjeje, ndaj ne jemi kthyer nga burimet prodhuese: energjia, mineralet, bujqësia, manifaktura. Mirëpresim kompanitë italiane që po vijnë gjithmonë e më shumë drejt vendit tonë, sepse gjejnë një mjedis të favorshëm”, përfundoi Rama.

PRITET NGA RAMA, KENDOHEN HIMNET
Kreu i qeverisë italiane u prit në një ceremoni mirëseardhje para kryeministrisë rreth orës 13:38 nga kryeministri Rama, ndërsa pritet të zhvillojë takime me krerët më të lartë të shtetit.

Gjatë ceremonisë të dy Kryeministrat u nderuan nga rojet e nderit të Gardës së Republikës.

Në ceremoni morën pjesë ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli, ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, zv/ministri i Jashtëm, Sokol Dervishaj.

Mësohet se Policia e Shtetit ka marrë masat e duhura për mbarëvajtjen e kësaj vizite, ndërsa do të ketë kufizime të qarkullimit në disa segmente rrugore, nga ora 12:00-14:00.

Kufizime të qarkullimit do të ketë në aksin Rinas-Kashar-Rruga e Durrësit, sheshi “Shqiponja”, dhe bulevardi “Dëshmorët e Kombit”.

AXHENDA

Në ora 13.35 do të zhvillohet ceremonia e mirëseardhjes, përpara godinës së Kryeministrisë.

Në orën 13.50 – 14.40 takimi ndërmjet dy delegacioneve, kryesuar nga dy Kryeministrat.

Në orën 14.45 konferenca e përbashkët për shtyp, e Kryeministrit Rama dhe Kryeministrit Renzi.

Në orën 15.10 Kryeministrit Renzi do të takohet me Kryetarin e Parlamentit Ilir Meta.

Në orën 15.40 Kryeministrit Renzi do të takohet me Presidentin e Republikës Bujar Nishani.

Policia e Shtetit ka marrë masa për mbarëvajtjen e kësaj vizite, ndërsa mësohet se do të ketë kufizime të qarkullimit në disa segmente rrugore, nga ora 12:00-14:00. Kufizime të qarkullimit do të ketë në aksin Rinas-Kashar-Rruga e Durrësit, sheshi “Shqiponja”, dhe bulevardi “Dëshmorët e Kombit”.

(mi.k/ma.ar/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: