Kryeministri italian Giuseppe Conte ka apeluar sot për vijimin e procesit të integrimit për Shqipërinë dhe vendet e tjera të rajonit të Ballkanit. Duke folur për mediat italiane, Conte ka theksuar se ka rrezik që Ballkani të kthejë sytë nga Rusia, Turqia e Kina nëse nuk vijohet me integrimin.

SHKRIMI I PLOTE NE MEDIAN ITALIANE

Integrimi i Shqipërisë dhe Kombeve të ish Jugosllavisë në Bashkimin Evropian është një proces që duhet të “ndiqet absolutisht”. Kështu deklaroi kryeministri, Giuseppe Conte, duke folur në “Palazzo Borromeo” në konferencën me temë: “45 vjet pas Marrëveshjeve të Helsinkit”

Duke folur për rolin e luajtur nga diplomati i Selisë së Shenjtë në dialogun me vendet e Lindjes, Conte kujtoi se si “në këto dyzet vjet këto vende, të cilat atëherë ishin objekt i vëmendjes specifike në Sekretariatin e Shtetit të Vatikanit, kishin fate shumë të ndryshme. Shumë prej tyre në vitin 2004 u bënë anëtare të plota të Bashkimit Evropian. Pastaj ka disa (po mendoj për Bjellorusinë, Moldavinë, Ukrainën) që janë pjesë e të ashtuquajturit ‘Partneritet Lindor’ brenda kornizës së Politikës Evropiane të Fqinjësisë “.

“Pastaj – vazhdoi kreu i qeverisë – janë pesë vendet e ish-Jugosllavisë, të cilave u shtojmë edhe Shqipërinë, e cila gjithashtu aspiron të jetë pjesë e familjes evropiane. Eshtë një proces shumë kompleks dhe shumë delikat. Unë besoj se ky proces duhet të ndiqet absolutisht. Unë besoj se ky proces i integrimit evropian duhet të arrihet absolutisht. Nëse nuk e arrijmë këtë objektiv, jo vetëm që do të rrezikonim të shohim këta partnerë të kthejnë vështrimin e tyre nga Evropa drejt aleatëve të vjetër, por ne do të rrezikonim t’i shohim të kthejnë shikimin e tyre nga Evropa drejt vendeve të tilla si Federata Ruse, ‘lojtarët’ historikë në zonë, por edhe ndaj Turqisë, ose lojtarë të tjerë të rëndësishëm ndërkombëtarë të interesuar për të forcuar praninë e tyre në gadishullin Ballkanik, të tilla si Kina dhe vendet e Gjirit”.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb