Kryeminstri Edi Rama, ishte sot në Vlorë, ku mori pjesë në një konferencë Ndërkombëtare “Drejt së Ardhmes: Qyteti im, Shtëpia ime”.

Rama ka theksuar nevojën që ka për qytetin dhe turizmin e atij vendi, mbajtja pastër e mjedisit.

Ai “kritikoi” qytetarët me faktin se çdokush që hedh rrugës mbeturinat, ka kontribuar në përzënien e turistëve të cilët kishin ardhur për të pushuar në atë qytet dhe i ka hequr qytetit të tij të ardhura nga duart.
Kryeministri ka theksuar se me investimet e kryera në Lungomare, tashmë pasuritë e patundshme të qytetarëve kanë marrë vlera që nuk ishin menduar më parë se do t’i kishin, si dhe ka premtuar se e njëta gjë do të ndodhë edhe në lumin e Vlorës.

“E bukura në mjedisin e përbashkët bëhet katalizator i një tërësie ndryshimesh që çojnë në një transfromim që është pastaj transformim strukturor, se si në një mjedis ku e bukura ka rrezatim ndryshon raporti i njeriut me tjetrin, ndryshon raporti i njerëzve me rregullat, zbatimi i rregullave bëhet shumë më i thjeshtë, njerëzit bëhen shumë më të predispozuar që t’i zbatojnë rregullat, ndryshon raporti i njerëzve me higjenën. Janë shumë më të kujdesshëm njerëzit, në raport me pastërtinë, aty ku mjedisi është i pastër dhe aty ku ka rrezatim pozitiv të të bukurës, padiskutim janë shumë më të gatshëm të shpenzojnë dhe rritet konsumi dhe padiskutim, rritet vlera e pronës.

Flitet për Lungomaren në aspektin estetik, në aspektin e kënaqësisë që krijon ajp hapësirë por në fakt, përtej asaj që duket, në atë zonë kanë ndodhur dhe disa gjëra që nuk duken dhe gjëja më e rëndësishme është që njerëzit që kanë prona në atë zonë janë më të pasur sot. Pra, ai investim i bërë për ato hapësira i ka bërë njerëzit më të pasur. Pasuria e tyre e patundshme sot është rritur në nivele që as nuk mund të imagjinohej kur zona e Lungomares ishte një zonë e mbushur me gropa, me baltë, me makina që parkoheshin rrëmujë, me plot nga ato dyqanet e katit të parë që ishin thjesht vitrina me lajmërimin për shitje, por që nuk i blinte askush dhe ndërkohë sot është diçka krejt tjetër.

Sot, unë po e përsëris, është diçka që e kam thënë dhe më parë, mund të duket çudi, por në Kume kur deri para pak kohe futeshe me çizme, nuk është e largët dita madje është çështje, mendoj unë, e pak vitesh kur ato shtëpi do jepen me qira për pushuesit, kur ata që banojnë në ato shtëpi gjatë gjithë sezonit të verës, të kenë nëpër shtëpi turistë të huaj. Sepse nga njëra anë, zona po del në dritë dhe po del në dritë me një investim të konsiderueshëm, në raport me nivelet e investimeve që bëhen në një zonë bashkie, por asgjë në raport me fitimin që do sjellë. E nga ana tjetër, Vlora sot po hyn në një fazë ku nevoja për shtretër, pra për akomodim të atyre që vijnë do rritet në pikën e një krize shumë të madhe dhe kush ka shtretër në Vlorë dhe do ketë shtretër në Vlorë do vazhdojë të rrisë çmimet.

Rritjen e çmimeve shumëkush e quan një problem. Në fakt, rritja e çmimeve në aspektin e industrisë turistike është shenja më e parë dhe më e sigurt e rritjes së një ekonomie tërësore. Natyrisht është sfida jonë që të shtyjmë sa më shumë për ndërtimin e infrastrukturës së mikpritjes në gjithë zonën e Vlorës në mënyrë që të kemi sa më shumë shtretër.

Sot që flasim, ne parashohim duke parasysh edhe impaktin e aeroportit, mungesën e 12 mijë shtretërve, që është shumë, dhe ndërkohë, për shkak se Vlora u kthye në një qytet i cili ishte krejtësisht I papërshtatshëm për turizmin dhe ishte krejtësisht i mbaruar, nga pikëpamja e infrastrukturës, nga pikëpamja e kujdesit nga Tirana dhe faktikisht, funksiononte si pikë kalimi, imagjinoni, sot Vlora ka 7 herë më pak shtretër se Saranda.

Imagjinoni, është e pakonceptueshme. 7 herë më pak por nga ana tjetër ky është potencial shumë i madh dhe për këtë arsye ne duhet të vazhdojmë të bëjmë atë që kemi nisur.

Ndodh shpesh që kur ne nisim një punë të kësaj natyre, ngrihen ata që thonë “Ne nuk kemi bukë, ju bëni sheshe. Hajde shikoni njëherë këtu te X lagje se çfarë bëhet dhe boll me betonin nëpër sheshe”. Ky është një konceptim komplet i gabuar. Jo se në x lagje nuk ka nevojë, përkundrazi, kishte nevojë siç kishte nevojë në Kume dhe tani gjëja o bëhet, siç ka pasur në nevojë dhe në dy tre vende të tjera ku ka pas nevojë dhe gjëja po bëhet, ka nevojë dhe në zona të tjera. Por, nëse e nis nga andej nuk ka asnjë shans që ti të rrisësh kapacitetet e konsumit dhe të ekonomisë.

Nëse vazhdon nga pikënisja e krijimit të burimeve të reja të energjisë pozitive që vijnë përmes krijimit të hapësirave ku njerëzit ndjehen pjesë e diçkaje më të madhe se shtëpia e tyre dhe ku njerëzit ndjehen krenarë për qytetin në të cilin jetojnë dhe për qytetin ku të tjerët vijnë për vizitë, atëherë sigurisht që e kundërta është e vërtetë, rritet financimi, financimi që vjen nga konsumatorët dhe që të rrisim financimin që vjen nga konsumatorët duhet të rrisim numrin e konsumatorëve. Nuk mund të mbahet një qytet me konsumatorët e vet, një qytet mund të mbahet dhe të zhvillohet duke pasur sa më shumë konsumatorë.

Shikoni Janinën. Unë në Janinë kam qenë dy herë, një herë në fillim të viteve ‘90 dhe njëherë në fillim të viteve 2000. Unë nuk e besoja dot që ishte i njejti qytet, por në fakt, çfarë kishte ndryshuar në Janinë?

Kishte ndryshuar pikërisht kjo që thashë, në atë kohë se tani ka shkuar në një nivel tjetër, siç po shkojnë Vlora, siç do shkojë Durrësi e siç do shkojnë të gjitha këto qytete në një nivel tjetër, por në atë kohë ishte në këtë nivel që ne kemi vendosur sot, me burime energjie të të bukurës.

Unë kam parë dhe mund të ndodhë që të shohim qytete të bukura që janë të varfra, por nuk ndodh, nuk e gjen dot një qytet të shëmtuar që është i pasur.  Nuk ndodh! Nuk ekziston një vendbanim i shëmtuar dhe i pistë që është i pasur. Pastërtia në një vendbanim është një nga komponentët e domosdoshëm për të rritur ekonominë e atij vendbanimi, ashtu sikundër cilësia e hapësirës publike është komponenti tjetër, ashtu sikundër prania e të bukurës është komponenti tjetër. Duke ndërtuar në mënyrë të shëmtuar, duke ndërtuar në mënyrë të kuturushme, duke ndërtuar me vend e pa vend, ne krijojmë mbase më shumë hapësirë për të jetuar brenda mureve të shtëpisë, po ne mbyllim hapësirat e mundshme për zgjerim për gjeneratat e tjera sepse të rroftë shtëpia brenda, në rast se jashtë është siç thuhet në skelë, një hapësirë e mbushur me llozhura. Nuk funksionon. Shikoni se çfarë ndodh sot dhe e gjitha kjo është një prurje, e cila vjen si frut i një  procesi të tërë të rilindjes urbane. Sot, Shqipëria dhe këtë nuk e them unë, e thotë Eurokontrolli është i vetmi vend në Europë me rimëkëmbjen plus 100% të prurjeve në aeroport, në raport më vete gjithmonë, plus 100%. Turqia, Spanja, Portugalia janë plus 90,  ne jemi plus 100%, 123% plus në raport me katër mujorin e parë të vitit të kaluar. Dje, pashë shifrat e marsit. Në muajin mars të këtij viti, ne kemi 53.7% plus vizitorë në vendin tonë.

Këto nuk janë shifra të zakonshme po të keni parasysh që nuk është periudhë tipike e turizmit te ne dhe netë-qëndrimet janë rritur me mbi 2 herë. Çafrë janë netë-qëndrimet?! Janë pikërisht mundësi të shtuara për konsumin sepse janë pagesa të shtuara në hotele. Janë pagesa të shtuara në shërbime. Janë të ardhura të shtuara për të gjithë infrastrukturën e shërbimeve.

Njerëzit flasin ndonjëherë përpara sesa edhe të mendojnë, sepse jam i bindur se nëse do të mendonin pak, nuk do të thoshin ç’na duhen aeroportet. Ne na duhen shumë aeroportet sepse aeroportet nuk janë për thjeshtë të lënë hapësirat e atdheut në dispozicion të ufo-ve. Aeroportet janë për të sjellë në vendin tonë sa më shumë konsumatorë të shërbimeve që ne ofrojmë. Ja ku është Kroacia. Kroacia është 1 nga 10 fuqitë kryesore të botës në turizëm, – një vend nga pikëpamja e popullsisë pak më i madh se ne, – ka 9 aeroporte, sigurisht të trashëguara nga koha e shkuar etj, etj. Po duke folur për kohën e shkuar të Jugosllavisë, e cila ishte një vend i hapur ndaj turizmit, numri i aeroporteve ishte eksponencial, në raport me gjithë ato problematikat e tjera.

Me ndërtimin e areoportit të Vlorës, ne do të ndërtojmë, ja u them këtë të gjithëve atyre që thonë “ne s’kemi bukë”, ne do të ndërtojmë një fabrikë të madhe buke sepse aeroportet sjellin “bukë” në kuptimin simbolik po e them se dhe ata që thonë “s’kemi bukë” nuk është se s’kanë bukë me të vërtetë.

Ndërkohë që, siç përmenda Kumen më përpara po sjell shembullin e lumit të Vlorës. Lumi i Vlorës është një parajsë në tokë dhe jam i bindur që është një hapësirë e gjitha për t’u vënë në dispozicion të turizmit dhe jam i bindur që vlera e gjithë asaj pasurie atje do të rritet njësoj si vlera e pasurisë në Lungomare, në raport me investimet që do të bëhen për agroturizëm.

Ashtu sikundër dhe investimet që do të bëhen për të prodhuar ushqimin e vendit që do t’i shërbejë gjithë infrastrukturës së mikpritjes në bregdet.

Mendoj që kemi shumë arsye për të qenë optimistë për të nesërmen sepse jemi një vend i bekuar dhe më në fund jemi futur në rrugën që këtë bekim ta kthejmë në një avantazh, që ky bekim, me gjithë këto bukuri dhe me gjithë këto pasuri, mos jetë një mollë e ndaluar që kalbet përpara syve tanë, siç ndodhi për shumë e shumë vite, për shumë e shumë dekada e për shumë e shumë arsye. Por duhet shumë durim dhe duhet shumë vendosmëri për të shkuar përpara.

Meqe e fillova me një shembull, po e mbyll me një shembull për të thënë sesa e rëndësishme është pastërtia dhe sa e rëndësishme është rrezatimi i të bukurës. I them këto sepse vlonjatët, sidomos vlonjatët duhet të kuptojnë që kanë diçka shumë të rëndësishme në dorë, në raport me ekonominë e tyre. Mos hedhin plehrat përtokë, gjithë shqiptarët, patjetër, por them për vlonjatët për shkak se këtu potenciali është i jashtëzakonshëm siç është në Durrës, siç është në gjithë bregdetin dhe për të ndërtuar një turizëm të suksesshëm nuk mjaftojnë shtretërit, nuk mjaftojnë muret e bukura, nuk mjaftojnë rrugët e bëra mirë, nuk mjaftojnë palmat dhe ndriçimi, por duhet kryesori që është: I zoti i vendit dhe i zoti i vendit është banori.

Nëse e konceptojmë qytetin si shtëpinë tonë dhe nëse kur dalim nga muret e shtëpisë ndjejmë të njëjtën përgjegjësi ndaj pastërtisë njësoj si brenda murit të shtëpisë, askush nuk i hedh plehrat në kuzhinë, i hedh në kosh dhe i nxjerr jashtë, por çdokush duhet ta kuptojë që kur del jashtë e hedh plehrat përtokë, në atë moment i ka hequr qytetit, nuk di ta bëj me shifra, por me siguri i ka hequr qytetit disa lekë të ardhura.

Në atë moment ka përzënë nga qyteti çdonjërin nga turistët që do ta shikojnë atë plehrën që ai ka hedhur përtokë dhe të gjithë së bashku me plehrat e hedhura përtokë kanë kryer gjatë gjithë ditës aktin e përzënies nga qyteti për herën tjetër të të gjithë atyre që i kanë parë ato plehra dhe të cilët, kur kthehen thonë “deti shumë i bukur, rëra shumë e mirë, dielli fantastik, gratë dhe vajzat kryevepër, por burrat për t’i marrë e për të mos i parë më kurrë” sepse kjo është e vërtetë, përveç të tjerave, por le të mos ta themi këtu se kemi dhe komshijtë që janë burra më të mirë se ne.

Shembulli që do të sjell është ky: Është bërë një eksperiment me dy ashensorë të marrë në të njëjtën ditë, nga e njëjta fabrikë, të vendosur në të njëjtën godinë. Njëri i zhgaravitur dhe i bërë pis, tjetri i pastër. Ai i zhgaravituri dhe i bëri pis, është prishur përpara tjetrit, pavarësisht se fizikisht ishin të dy në një moshë dhe nga pikëpamja mekanike ishin fiks e njëjta gjë. Për shkak të sjelljes së ndryshme të njerzve, tek ashensori i pastër dhe i shkëlqyeshëm nga pikëpamja e pamjes dhe tek ashensori i pistë dhe i pa dëshirueshëm nga pikëpamja e pamjes, i pisti u prish përpara. Kështu që, prandaj dhe gjyshet këtu në Vlorë thoshin lahuni sa më shumë në det”, wshtw shprehur Rama.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: