Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, ka udhëtuar për në Paris ku do të marr pjesë në Samitin e Liderëve të Ballkanit Perëndimor.


Të hënën, kryeministri Isa Mustafa do të marrë pjesë në takimin qendror të Samitit, ku do të jenë të pranishëm presidenti francez François Hollande, kancelarja gjermane Angela Merkel, kancelari austriak Christian Kern, kryeministri italian Matteo Renzi, zëvendëspresidentja e KE-së, njëherësh përfaqësuese e lartë e BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Federica Mogherini.


Sipas një njoftimi, në samitin e tretë që zhvillohet në kuadër të Procesit të Berlinit, do të jenë të pranishëm kryeministrat e Ballkanit Perëndimor, Isa Mustafa – kryeministër i Kosovës, Edi Rama – kryeministër i Shqipërisë, Miro Cerar – kryeministër i Sllovenisë, Tihomir Oreskoviq – kryeministër i Kroacisë, Milo Gjukanoviq, kryeministër i Malit të Zi, Emil Dimitrev kryeministër i Maqedonisë, Denis Zvizdiq kryeministër i Bosnjës dhe Hercegovinës si dhe kryeministri serb, Aleksandër Vuçiq.


Po sipas njoftimit, gjatë punimeve të Samitit do të bëhet vlerësimi i progresit të arritur në projektet e deritashme si dhe pritet të iniciohen projekte të reja. Temë e Samitit do të jenë edhe avancimi i bashkëpunimit ndërmjet shteteve në rajon, fuqizimi i ekonomisë dhe bashkëpunimi ndërmjet të rinjve. Në njoftim shtohet se gjatë Samitit të Parisit, kryeministri Mustafa do të takohet me drejtuesit e shteteve të BE-së si dhe homologët nga vendet e rajonit.

Takime të ndara, kryeministri Isa Mustafa, do të zhvillojë edhe me drejtues të lartë të Bashkimit Evropian, ku do të theksoj përkushtimin e Republikës së Kosovës në proceset eurointegruese si dhe do të kërkojë përkrahje për fillimin sa më të shpejtë të lëvizjes së lirë të qytetarëve të Kosovës në vendet e BE-së./tg
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: