Kryeministri i Pakistanit, Imran Khan ka deklaruar se vendi i tij synon të forcojë marrëdhëniet tregtare me Turqinë, duke theksuar se presidenti turk Recep Tayyip Erdoğan pritet të zhvillojë një vizitë zyrtare në Pakistan në mes të shkurtit.

Në një bisedë në kryeqytetin pakistanez Islamabad, Khan foli në detaje për një sërë çështjesh, përfshirë situatën në Lindjen e Mesme, Afganistanin, marrëdhëniet me Turqinë, çështjet e brendshme, ekonominë e vendit, ndryshimet klimatike, marrëdhëniet me Indinë fqinje dhe aktivitetet e saj në Xhamu dhe Kashmir.

Në një bisedë që zgjati më shumë se 40 minuta në sallën e shtëpisë së kryeministrit, afër kabinetit të tij, Khan foli për bukuritë e Turqisë dhe kujtoi qëndrimin e tij me dy djemtë e tij në Stamboll para se të merrte detyrën si kryeministër i Pakistanit. Ai shprehu dëshirën që të përfshijë Turqinë në një projekt të vlefshëm me miliarda dollarë që synon forcimin dhe lidhjen e ndërsjellë.

Khan theksoi se midis Pakistanit dhe Turqisë ka marrëdhënie miqësore.

Han Roportaj Aa

 

“Tani ne po zhvillojmë marrëdhënie të afërta tregtare. Ne kemi një qëndrim të përbashkët për çështjen e Kashmirit. Pakistani falënderon presidentin Erdoğan për solidaritetin që ka treguar në Kombet e Bashkuara (OKB) kundër asaj që ka bërë qeveria raciste dhe fashiste indiane në Kashmir. Marrëdhëniet tona me Turqinë forcohen më tej në çdo fushë”, tha Khan.

“Qëllimi ynë është të përmirësojmë marrëdhëniet tregtare. Për shembull, Pakistani dhe Turqia mund të bashkëpunojnë në fushën e minierave”, tha Khan, duke theksuar se Pakistani është një vend i pasur me xehe të ndryshme si ari, bakri dhe qymyri.

“Në disa fusha duam të transferojmë teknologjinë nga Turqia. Do të jetë një takim gjithëpërfshirës në të cilin do të diskutojmë për çdo fushë të marrëdhënieve tona ekonomike. Ne gjithashtu do të diskutojmë mbi çështje strategjike dhe diplomatike”, tha ai.

Kryeministri pakistanez kujtoi se në vitin 1920, veçanërisht muslimanët e nënkontinentit indian, i ndihmuan Turqisë në kohërat e saj të vështira. Ai propozoi të përkujtohej 100-vjetori i kësaj bujarie dhe marrëdhëniet midis Turqisë dhe muslimanëve në nënkontinentin indian në vitin 2020.

Khan e paralajmëroi komunitetin ndërkombëtar se Partia Popullore e Indisë (BJP) në pushtet po përgatitet që të përsërisë gjenocidin në stilin e Mianmarit dhe përjashtimin e popullatës së saj të pakicës.

Ai theksoi se në bazë të ligjit të ri të diskutueshëm të shtetësisë në Indi, rreth 500 milionë njerëz do të përjashtohen nga lista e shtetësisë, me çka do të pasojë një azhurnim në Regjistrin Kombëtar të Qytetarëve.

“Kjo është saktësisht ajo që ndodhi në Mianmar. Fillimisht filluan me regjistrimin dhe në atë mënyrë i përjashtuan muslimanët dhe më pas ndodhi gjenocidi. Kam frikë se gjërat po lëvizin në atë drejtim në Indi”, tha Khan.

Duke u përgjigjur në pyetjen në lidhje me mundësinë e një vale të mundshme të migracionit në Pakistan dhe Bangladesh nga India, në prag të zhvillimeve aktuale, Khan tha:

“Bangladeshi tashmë ka refuzuar të pranojë cilindo që është përjashtuar nga lista e qytetarëve në shtetin verilindor të Assam-it”.

“Mendoj se Bangladeshi tashmë është i shqetësuar sepse në Assam ata kanë çregjistruar pothuajse 2 milionë njerëz. Nuk e di numrin e saktë, por shtrohet pyetja se çfarë do të ndodhë me këta njerëz?”, tha Khan.

Është parandaluar lufta mes SHBA-së dhe Iranit

Duke folur për tensionet e fundit midis SHBA-së dhe Iranit, Khan tha se tensionet ende ekzistojnë. Por, ai shprehu kënaqësinë që lufta në rajon u parandalua pas përpjekjeve diplomatike.

“Ne mendojmë se kemi luajtur rolin tonë në këtë dhe kemi ulur tensionet. Por sigurisht, ju e dini, duhet të ketë ndonjë zgjidhje të përhershme”, tha ai.

Kryeministri pakistanez hodhi poshtë kritikat ndaj Korridorit Ekonomik Kinezo-pakistanez (CPEC) dhe la mënjanë çështjen e borxhit kinez. “Pra, kjo gjë është plotësisht e pabazë se Pakistani po hyn në grackën e borxhit të Kinës”, tha Khan.

Duke theksuar konfliktet në botën islame, ai tha se urgjenca më e madhe e Pakistanit është të ndalojë zjarrin dhe t’i sjellë palët në pajtim në mënyrë që vendet të mund të përqendrohen në zhvillimin e infrastrukturës së tyre.//AA

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb