Kryeministri Edi Rama ndodhet në Bruksel ku edhe është takuar me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg.

Pas këtij takimi zhvilluan edhe një konferencë të përbashkët për shtyp. Gjatë fjalës së tij Rama theksoi se është krenar që Parlamenti shqiptar u bë një prej Parlamenteve të para për të ratifikuar protokollet për anëtarësimin e Suedisë dhe Finlandës në NATO ndërsa shtoi se vendi qëndron në solidaritet të plotë me Ukrainën.

Ai gjithashtu konfirmoi lajmin se Shqipëria do të vendosë në funksion të Aleancës një bazë detare të teknologjisë së fundit. Ajo pritet të ndërtohet së bashku me portin e ri të Durrësit në zonën e Porto Romanos.

“Është kënaqësi dhe nder që kthehem këtu dhe që kam mundësi të ndaj me ju opinione pas Samitit të Madritit që ishte moment historik në përgjigje ndaj rreziqeve të sigurisë Europiane. Është me rëndësi që ne të vijojmë bashkëbisedimin përkundrejt situatës dhe detyrimet që kemi në Ballkanin Perëndimor dhe të parandalojmë çdo përshkallëzim dhe ndikim i keq të kthehet në problem për rajonin tonë. Ne si vend aleat dhe kandidat për BE do të luajmë rolin tonë në mbështetje të paqe dhe të stabilitetin dhe koncepti i ri thekson rolin e Ballkanit për NATO-n”, tha Rama.

“Unë dua të theksoj nevojën për të konsideruar përfshirjen e Kosovës në Partneritetin për Paqen edhe pse e dimë që ka disa kufizime politike nga disa aleatë dhe e dimë se ky është një mekanizëm konsensual. Unë mendoj se ky duhet të konsiderohet dhe e vlerësoj disponibilitetin tuaj për të shtuar një vlerë tjetër të rëndësishme në infrastrukturën dhe logjistikën e aleancës tonë për të vënë në funksion një bazë detare të teknologjisë së fundit, që mund të ndërtojmë duke pasur në konsideratë vështirësitë që po kalon bota. Dhe është gjithnjë e dobishme të kthehesh këtu me energji të plota dhe të vazhdosh t’i shërbesh kësaj aleance të shenjtë”, shtoi kryeministri.

Fjala e plote:

Është kënaqësi e madhe dhe po kështu një nder që kthehem këtu dhe që kam mundësinë të ndaj me ju disa opinione pas samitit të Madridit, i cili siç e theksuat, ishte vërtetë një moment historik për Aleancën Trans-atlantike në përgjigje ndaj rreziqeve të sigurisë europiane për shkak të luftës së qëllimtë të Rusisë e po kështu dhe me miratimin e vendimeve të rëndësishme për të transformuar dhe forcuar Aleancën dhe për të siguruar që NATO të vijojë të mbrojë paqen dhe të parandalojë konfliktin e të mbrojë popujt dhe vlerat e Aleancës.

Nga ana tjetër, jam krenar që parlamenti shqiptar u bë një prej parlamenteve të para të vendeve aleate për të ratifikuar protokollet e anëtarësimit të Finlandës dhe Suedisë, vetëm pak ditë pas nënshkrimit të tyre nga ambasadorët e vendeve aleate.

Ne qëndrojmë me forcë në solidaritet të plotë me Ukrainën dhe sigurisht që është e padiskutueshme mbështetja jonë për sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës, brenda kufijve të njohur ndërkombëtarisht, mbështetje që është më e palëkundur se kurrë.

Nga ana tjetër, është e rëndësishme që ne të vazhdojmë bashkëbisedimin tonë përkundrejt situatës dhe po kështu edhe detyrimet që ne kemi në Ballkanin Perëndimor, që pikërisht të parandalojmë çdo përshkallëzim e të parandalojmë që çdo ndikim i keq të kthehet në problem për rajonin tonë.

Në kapacitetin tonë si vend aleat dhe si vend kandidat për në BE, ne do vazhdojmë të luajmë rolin tonë tradicional, në mbështetje të paqes rajonale, pajtimit dhe sigurisht, stabilitetit.

Ndërkohë që koncepti i ri strategjik që sapo kemi miratuar thekson rolin strategjik të Ballkanit Perëndimor për NATO-n, ne besojmë shumë se është tejet e rëndësishme që të vijojmë një dialog të përhershëm me të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, përfshirë Serbinë, e cila nuk është pjesë e aleancës sonë, por ende është pjesë e rajonit tonë.

Nga ana tjetër, pata dhe njëherë shansin t’ju them atë që kam përmendur tashmë në Samit. Nevojën për të konsideruar përfshirjen e Kosovës në partneritetin për paqe edhe pse e dimë që ka disa kufizime politike nga disa aleatë dhe e dimë që ky është organizëm konsensual. Megjithatë, në kohët ku jetojmë, në këndvështrimin tim modest, është vërtetë e mençur që kjo të ri konsiderohet.

Së fundmi në radhë, por jo nga rëndësia, e vlerësoj shumë disponibilitetin tuaj për të na kushtuar pak kohë në bisedën tonë për t’ju prezantuar ambicien tonë, për të shtuar një vlerë tjetër të rëndësishme në infrastrukturën dhe logjistikën e aleancës sonë, duke vënë në dispozicion të NATO-s një bazë të flotës detare të fjalës së fundit që do të jetë një vend që jo vetëm mund të ndërtojmë, por mund ta ndërtojmë duke patur parasysh sfidat e kohës sonë, nga ndryshimi i klimës, nga mbrojtja e mjedisit e gjithçka tjetër.

Faleminderit shumë edhe për këtë dhe është përherë kënaqësi të kthehesh këtu dhe është gjithnjë e dobishme të kthehesh me energji të plota e të vazhdosh t’i shërbesh kësaj aleance të shenjtë.

  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb