Në inspektimin e ndërtimit të fiderave të rinj, si dhe kabinave të reja në Tiranë, Kryeministri Rama i shoqëruar nga ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku dhe drejtori i OSHEE, Adrian Çela, theksoi se “vijon rritja e kapacitetit dhe cilësisë së furnizimit me energji elektrike për Tiranën që rritet çdo vit me banorë të rinj”.

Kreu i qeverisë, Rama në fjalën e tij tha se investimi në fjalë është një revolucion, kurse shtoi se në 7 vjet qeveria e tij ka bërë më shumë se ç’mund të bëhen në dekada.

Belinda Balluku: Në 2013, humbjet në rrjet kanë qenë 45 përqind, ndërsa tani e kemi 22 për qind.

Janë reduktuar humbjet në rrjet. Duam të arrijmë tek niveli që donim, 16 përqind të humbjes në rrjet. Pajisjet e reja komandohen online.

Edi Rama: Ky është një revolucion. Në 7 vjet janë bërë më shumë se në dekada të tëra. Janë kantjere për të zëvendësuar rrjete të furnizimit me ujë të viteve 1960, 1970, 1980 etj. Në ato rrjete nuk ishte bërë investim.

Nuk i kemi bërë më parë se kishim barrë të madhe borxhesh. Nuk ka pasur më parë asnjë strategji për t’i bërë hap pas hapi së paku.

Drejtori i OSHEE, Ardian Çela, tha se “ky është nënstacioni më i rëndësishëm nga 174 nënstacione që administron kompania”. “Me këtë nënstacion furnizohen 211 mijë banorë. Është ndërtuar në vitet ’60 dhe për 30 vite nuk ka pasur asnjë investim”, u shpreh ai.

“Investimi i vetëm është ai i nisur nga ne para dy vitesh që e kemi ndarë në tre faza. Kemi investuar deri tani rreth 9 milion dollarë nga 35 fidera që ka ky nënstacion, po eliminojmë ato të  iteve ’70 dhe kemi ndërtuar e rikonstruktuar 130 kabina”, – tha ai.


(d.xh/ balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb