Kryeministri rus, Mikhail Mishustin, ka deklaruar se situata me koronavirusin e ri (COVID-19) në Rusi mbetet e tensionuar sepse shumë rajone nuk ndjekin rekomandimet e shefit sanitar.

Duke folur në një takim qeveritar në kryeqytetin Moskë, kryeministri Mishustin u kërkoi autoriteteve shëndetësore rajonale të marrin një pozicion më aktiv në luftimin e përhapjes së virusit dhe t’u përmbahen rekomandimeve të autoriteteve federale.

“Jo të gjitha rajonet ndjekin rekomandimet e shefit sanitar dhe megjithatë ato kanë për qëllim ruajtjen e jetëve dhe shëndetit të njerëzve. Është e nevojshme t’u përmbaheni atyre dhe në përputhje me rrethanat sanitare, oficerët duhet të marrin një pozicion më aktiv”, tha Mishustin.

Ministria e Shëndetësisë, tha ai, duhet të punojë ngushtë me rajonet për çështjet e vaksinimit në mënyrë që të jetë e lehtë të imunizohen kundër virusit COVID-19 kudo në Rusi.

“Vaksinimi kundër COVID-19 duhet të jetë i thjeshtë në mënyrë që njerëzit të mos duhet të presin në radhë dhe të regjistrohen për një muaj”, shtoi ai.

Kryeministri rus po ashtu theksoi se në përgjithësi ritmi i vaksinimit në Rusi është rritur dy herë në javët e fundit dhe se niveli i vaksinimit varet nga rajoni pasi disa kanë një nivel të lartë të kërkesës për vaksinim.

Sipas ministrit të Shëndetësisë, Mikhail Murashko, deri më tani të paktën 35 milionë njerëz në Rusi kanë marrë dozën e parë të vaksinës.

Ndërkaq, shefja sanitare kundër pandemisë COVID-19, Anna Popova, njoftoi se vaksinimi i detyrueshëm për kategori të ndara do të vendoset në katër rajone të tjera.

Ajo shtoi se sot, 57 nga 85 rajone ruse regjistruan rritje të mëtejshme të rasteve COVID-19, ndërsa 18 rajone panë stabilizim dhe dhjetë prej tyre regjistruan rënie.

Task-forca emergjente ruse e koronavirusit së fundmi raportoi 23.811 raste të reja, 795 vdekje dhe 22.547 të shëruar. Aktualisht në të gjithë vendin po trajtohen të paktën 476.222 pacientë të prekur nga pandemia.//AA

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb