Prej kohësh, qesharakja me shqetësuesen ndërrojnë vendet. E shëmtuara dhe propagandistikja janë bërë trup i vetëm e megjithatë nuk ndalen. Në stadiumin kombëtar të Tiranës, por edhe në Shkodër e Vlorë, gjejnë skenën e tyre të alternimit e të shfaqjes. Kryeministri sillet çdo ditë sikur është vetë një vaksinues, infermier, doktor urgjence apo shef pavijoni.

Atij i mungon një çantë sanitaresh në shpinë me kryqin e kuq si shenjë, mbushur me shiringa, kortizon, antistaminik, që të ndërhyjë për ndonjë zalisje të mundshme. Vërdalliset i uruari në ato shkallare, i ndjekur besnikërisht e përunjësisht nga Manastirliu, e cila buzëqesh në sintoni me moton “Shqipëria buzëqesh”.

Rama vë epitete, kujt “gjigant” e ndoj tjetri “i madh”, sidomos personaliteteve që caktoi vetë si të tilla e që i futi si ilegalët te shtëpia e Partisë. Në Afrikë nuk ndodh kjo, që Kryeministri të shkojë çdo ditë në qendra vaksinimi, të kërkojë me zor lajm e vëmendje për vaksinat e tij të pakta, se në Europë jo e jo. Ai po përpiqet të takojë çdo të vaksinuar dhe detyrimin t’ia shesë si nder. Edi Rama çdo vaksinë po e trajton si votë të mundshme, duke thyer çdo rregull etik e politik.

Pasi u vaksinua vetë i pari, gjë që nuk e bëri Merkeli, Macroni apo Konte, tani bën spektakël me dështimin e tij. Deri tani ka sjellë aq pak sosh e aq ngadalë bëhen sa me këto ritme duhen disa vite të rrashta për të dalë në bregun tjetër. Pandemia ecën me hap sfidues në infektime e vdekje, duke e shndërruar Shqipërinë si vendin me problematik në menaxhimin e saj në të gjithë Europën.

Ajo që bën përshtypje tragjike është lehtësia, me të cilën përcillen vdekjet e shumta. INSTAT deklaroi 6 (gjashtë) mijë të vdekur më shumë për vitin 2020 sesa viti i mëparshëm.

Një shifër kjo që të rrëqeth duke ditur sa pak banorë jemi. Ngjan të jemi mësuar si pa të keq me buletinin e morteve ditore. Kushtet në spitale dhe ezaurimi i mjekëve janë ana tjetër, për të cilat, nëse flet apo denoncon, përfundon i proceduar nga Policia si mbesat e Vili Minarollit kur iu vdiq babai.

Monstruoziteti dhe vjedhja me Tiren si simbol, janë tjetra. Komiteti teknik nuk vendos asgjë, por përdoret si fasadë për sjelljen e Edi Ramës, siç la të kuptojë edhe mjeku i njohur Tritan Kalo. Vendimet e këtij organizmi partiak kanë shërbyer deri tani si mbulesë për gjobat e kripura ndaj opozitës në fushatë elektorale dhe për të kufizuar aktivitetin e saj, ndërsa “Rilindja” mbledh të gjitha ndërmarrjet, deri tek elektricistët, ku u kërkon lista votash të premtuara.

Prezenca e koronavirusit si edhe tërmeti më parë janë prova dhe dëshmia se shteti i Edi Ramës është prej kartoni dhe qeverisemi nga sharlatanë që gënjejnë edhe Zotin me paaftësinë si puçërr me qelb në ballin e rrafshët. Asnjë qeveri nuk i ka lënë qytetarët e vendit të vet në mëshirën e fatit me ftohtësi kriminale si kjo e jona.

Shtëpitë janë shndërruar në spitale, spitalet në magazina rrefuzhe që nuk mbajnë më teksa kostot e përballimit kapin shifra të frikshme për xhepin e gjithkujt, strukturat private kërkojnë nga 1 mijë deri në tre mijë euro nata, ndonëse edhe aty vende s’ka, por Edi Rama sillet në çdo rast si shef pavijoni, duke i menduar shqiptarët si të sëmurë mendorë. Ai ka të drejtë ta mendojë këtë për sa kohë kemi dhënë prova që sillemi si pacientët e tij./panorama

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb