Deputeti i PD Agron Shehaj, i ftuar këtë mesditë në rubrikën “Opinion” në News24 me gazetaren Ola Bruko, foli për zhvillimet e fundit në Kuvend.

Ai tha se deputetët e opozitës kanë tentuar që të bllokojnë foltoren, është bërë për shkak se ata kanë kërkuar që të kenë një mocion me debat me kryeministrin Edi Rama, lidhur me çështjen e “McGonigal”.

Mospranimi i Edi Ramës në interpelancën e thirrur dhe delegimi i ministres së shtetit Elisa Spiropali, sipas Shehajt është shenjë se kreu i qeverisë po fshihet dhe se nuk ka se çfarë të thotë pata tyre.

“Kryeministri është përfshirë në një hetim nga FBI, kundër një ish-agjenti që akuzohet se ka marrë para dhe ka fshehur takimet me kryeministrin e vendit tonë. Referuar aktakuzës. Kjo është një gjë e padëgjuar ndonjëherë që një kryeministër të jetë i përfshirë personalisht në manipulimin, aq më tepër për të sulmuar opozitën.

Për këto ne kërkojmë që ai të vijë në Kuvend dhe të japë shpjegime. Ka ndodhur që kryeministri ka tentuar të eliminojë opozitën, nuk po flasim për diçka të parëndësishme që duhet ta presim të gjejë kohë dhe të vij të japë shpjegime.

Kërkojmë dhe ngritjen e një Komisioni Hetimor për këtë çështje, dhe për këtë arsye kemi tentuar të bllokojmë seancën. Kjo është një çështje shumë e rëndë, dhe për ne ka rëndësi të zbatohet ligji dhe rregullorja e Kuvendit. Kryeministri nuk mund të fshihet. Mospjesëmarrja e tij është e qëllimtë.

Ky është tregues se Rama nuk ka çfarë të thotë dhe se është i zhytur në aferë. Janë fakte në aktakuzë. Vetëm kjo mjafton që në një vend normal kryeministri të japë dorëheqjen.

Kjo është arsyeja se përse do të protestojmë në 11 shkurt. Korrupsioni në Shqipëri është për të mbajtur pushtetin dhe për të zhdukur opozitën”, tha Shehaj.

 

 

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb