TURQI- Kryeministri i Turqisë, Binali Yıldırım, deklaroi sot në Ankara se Turqia është i vetmi shtet i cili lufton kundër organizatës terroriste DEASH, për të shtuar se pjesa tjetër e botës vetëm shtiret me pretendimet se merr pjesë në atë luftë, raporton Anadolu Agency (AA).
Duke folur në një ceremoni të inaugurimit të disa projekteve mjedisore të Ministrisë së Ambientit dhe Urbanizmit në Ankara, kryeministri Yıldırım tha se në botë nuk ka shtet që në të njëjtën kohë lufton kundër tri organizatave terroriste, duke shtuar se Turqia aktualisht është duke zhvilluar luftë të ashpër kundër organizatave terroriste FETO, PKK dhe DEASH.
“Bota shtiret se zhvillon luftë kundër DEASH-it, ndërkohë që nuk vepron ashtu. Turqia është e vetmja që lufton. Falë Zotit, në kuadër të ofensivës sonë ‘Mburoja e Eufratit’ është zgjidhur problemi me qytetin Al-Bab. Nga njëra anë, brenda pesë viteve kemi pranuar tre milionë njerëz, dhe kjo nuk kufizohet me kaq, teksa nga ana tjetër, për pesë vite kemi shpëtuar nga vdekja 50 mijë njerëz të cilët iu qasën rrugës së detit nga ishujt e Egjeut. Sipas besimit tonë, ai që shpëton një njeri, është sikur ta ketë shpëtuar tërë njerëzimin”, ka theksuar Yıldırım.
Duke folur për zhvillimin e Turqisë dhe punimet për përmirësimin e kushteve për qytetarët e Turqisë, Yıldırım tha se brenda 15 viteve kanë ndërtuar një Turqi të re. “Nën kryesimin e presidentit tonë të nderuar, filluam punë të rëndësishme për ta ripërtërirë shtetin, qytetet dhe njerëzit tanë”, theksoi ai, duke shtuar se qëllimi i tyre është që qytetet t’i shndërrojnë në vende ku, siç tha ai, të gjithë njerëzit do të jetojnë në qetësi.
Kryeministri Yıldırım ka folur edhe për referendumin në Turqi i cili do të mbahet më 16 prill për ndryshime kushtetuese. Ai u shpreh se me lejen e Zotit, më 16 prill, populli do ta hapë rrugën e Turqisë së ndritshme e cila po vazhdon drejt synimeve të vitit 2023 dhe do të mundësojë fillimin e një periudhe stabile ku, siç tha, të gjitha paqartësitë do të largohen dhe çdo gjë do të punojë në mënyrë të duhur.

(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: