Kryeministrja britanike Theresa May tha se qeveria ka dalë në përfundimin se ka shumë gjasa që Rusia të jetë përgjegjëse për sulmin që ndodhi gjatë këtij muaji ndaj ish-agjentit të dyfishtë rus Sergei Skripal dhe vajzës së tij Julia.

Duke folur të hënën përpara Dhomës së Komuneve, kryeministrja tha gjithashtu se agjenti nervor që ishte përdorur për sulmin ishte një substancë ushtarake që prodhohet nga Rusia. Ajo i bëri komentet pasi kryesoi një takim të Këshillit të Sigurisë Kombëtare, shkruan voa.

Presidenti rus Vladimir Putin tha sot se Britania duhet të sqarojë qëndrimin e saj lidhur me helmimin para se Rusia të prononcohet mbi këtë çështje.

Kremlini ka hedhur poshtë akuzat se ka qenë pas helmimit dhe fillimisht tha se nuk ka interes të përfshihet në hetime, pasi Skripali ishte agjent i dyfishtë që pat punuar edhe për britanikët dhe se incidenti ndodhi në tokë britanike.

Zyrtarët britanikë të shëndetësisë thanë të dielën se gjurmët e agjentit nervor të përdorur në tentativën për vrasje në Salisbury u gjetën në një klub ku kishin qenë viktimat, por se rreziku për publikun nuk është serioz.

Zyrtarët e shëndetësisë thanë se personat që kanë qenë në klubin Mill dhe restorantin Zizzi në Salisbury, në jugperëndim të Anglisë më 4 dhe 5 mars, duhet të marrin “masa paraprake, si p.sh. të lajnë rrobat”.

“Ndërsa nuk ekziston rrezik i menjëhershëm për shëndetin e atyre që mund të ketë qenë në këto dy lokale, përsëri ka rrezik që substanca e përdorur mund të ketë pasur kontakt me rrobat, ose sendet e njerëzve përreth, duke infektuar lëkurën. Me kalimin e kohës, kontaktet e vazhdueshme me objektet e infektuara mund të përbëjnë rrezik të vogël për shëndetin”, – thuhet në deklaratën e publikuar nga Zyra e Shëndetit Publik të Anglisë.

Zyrtarë të spitalit në Salisbury thanë se nuk ka fakte për një sulm me përmasa të mëdha në qytet, përveç njerëzve që ndodhen në spital që pas sulmit ndaj Skripalit dhe vajzës së tij.

Sekretari britanik i Mbrojtjes, Gavin Williamson, tha se Kremlini po sillet ashpër ndaj Britanisë për këtë çështje.

Zyrtarët rusë mohojnë që Kremlini të ketë patur të bënte me tentativën për vrasje. Skripal ka punuar për agjencinë ushtarake ruse të zbulimit, GRU, dhe ai ishte në mesin e disa spiunëve të shkëmbyer në vitin 2010 në pistën e fluturimit të aeroportit të Vienës.

Pasi qëndroi për katër vjet në burg në Rusi, i akuzuar si spiun të favor të shërbimit britanik MI6, Skripali ishte njëri prej katër agjentëve të dyfishtë rusë, që u shkëmbyen për 10 rusë të dëbuar nga Shtetet e Bashkuara.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb