SPANJË

Policia spanjolle ka goditur një bandë shqiptare, e cila kryente vjedhje duke terrorizuar qytetarët në disa zona të Spanjës. Sipas raportimeve të mediave vendase, ky aksion policor i kryer gjatë ditës së djeshme çoi në pranga katër shqiptarë të moshave nga 32-34 vjeç, ndërsa dy të tjerë u shpallën në kërkim policor.

Ky grup vepronte në zonat e Vallés Occidental, Baix Llobregat dhe Osona, në Barcelonë. Shqiptarët e prangosur vepronin me një skemë të detajuar ku gjithçka ishte e studiuar që nga grabitja dhe deri te fshehja e shumave monetare dhe sendeve me vlerë. Autoritetet nisën hetimin muajin e kaluar për shqiptarët, të cilët akuzohen për grabitjen e 27 banesave. Ata visheshin me rroba të errëta dhe maskoheshin për të mos u identifikuar, dhe më pas vinin në zbatim planin e tyre të grabitjes.

Sipas raportimeve, një oficer policie qëlloi në vendin e ngjarjes pas denoncimit të banorëve dhe tentoi ta arrestonte njërin prej shqiptarëve, por ai e shtyu dhe u largua. Ai u arrestua pak minuta më vonë. Pas arrestimit u zbuluan edhe sendet dhe shumat e vjedhur në banesë. Mediat shkruajnë se kjo nuk është hera e parë që goditen banda shqiptare në Barcelonë, Madrid, por edhe në qytete të tjera të Spanjës. Autoritete kanë nisur hetimet  për të zbuluar të shkuarën e shqiptarëve të arrestuar, të cilët ishin kthyer në makthin e qytetarëve.

(n.m/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb