Policia e Korçës ka arrestuar një 37-vjeçar me inicialet A.A, i cili ushtronte aktivitetin e paligjshëm të piraterisë duke fshehur edhe të ardhurat e përfituara nga ushtrimi i tij.

Policia ka mundur t’i sekuestrojë këtij personi 11500 euro, 2 milionë lekë të vjetra, pajisje dhe karta abonimi të kompanive televizive.

Arrestimi i tij u bë pasi, nga verifikimet e kryera rezulton se shtetasi i mësipërm, duke qenë i palicensuar nga Autoriteti i Mediave Audiovizive (AMA) si dhe duke shfrytëzuar piraterinë, kryente abonime për paketa të ndryshme televizive, kundrejt fitimit.

Vlerat e përfituara nga ky aktivitet i paligjshëm, shtetasi A. A., nuk i kishte deklaruar pranë organeve tatimore duke kryer fshehje të ardhurash. Gjatë kontrollit të ushtruar nga shërbimet e policisë, në mjetin e tij tip “Mercedes-Benz” si edhe në banesë, iu gjetën 11500 euro, 2 milionë lekë të vjetra, një lap top, karta abonimi të disa kompanive televizive, si edhe module dekoderash të cilat iu sekuestruan në cilësinë e provës materiale.

Materialet i kaluan Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Pogradec për veprat penale “Fshehja e të ardhurave”, “Shkelja e të drejtave të pronësisë industriale”.

(m.a/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: