Kryetari i Kuvendit, z. Gramoz Ruçi, ka sot një mesazh ngushëllimi për ndarjen nga jeta të ish deputetit, shkrimtarit, shkencëtarit dhe publicistit të shquar Moikom Zeqo.
“Me trishtim të thellë mësova ndarjen nga jeta të ish deputetit, shkrimtarit dhe shkencëtarit dhe publicistit të shquar Moikom Zeqo.
Mikom Zeqo ishte një personalitet erudit i rrallë, një enciklopedi e gjallë. Shkrimtar, historian, arkeolog, studjues e kritik letrar, përkthyes dhe publicist, mbi të gjitha një intelektual i shquar dhe patriot i madh. Ai i shërbeu Shqipërisë dhe kulturës shqiptare deri në ditët e fundit të jetës, me një dashuri e përkushtim të pashoq. Mikom Zeqo luftoi me stoicizëm ndaj sëmundjes për një kohë të gjatë, duke mos e ndërprerë për asnjë çast kontributin e tij intelektual për Shqipërinë.
Moikom Zeqo u zgjodh dhe shërbeu si deputet i Kuvendit të Shqipërisë në legjislaturën 1992-1996 dhe u shqua për thellësinë e mendimit, largpamësinë e vizionit, urtësinë për dialog, përkushtimin për qytetarët dhe angazhimin sipëror për kulturën dhe çështjet e mëdha të shoqërisë dhe të kombit shqiptar. Gjithë erudicionin e tij Moikomi ua kushtoi dhe ua shpërndau Shqipërisë dhe shqiptarëve. Lamtumirë Moikomi ynë i dashur!”, shkruan Kryetari i Kuvendit, z. Gramoz Ruçi, në mesazhin e ngushëllimit.