Kryetari i Parlamentit të Iranit, Ali Larijani, tha se vrasja e komandantit të Forcave Kuds të Gardës Revolucionare të Iranit, Qasem Soleimani, në një sulm ajror amerikan ishte një “shkelje e plotë” e Kartës së Kombeve të Bashkuara.

“Akti brutal i presidentit amerikan Donald Trump është një krim lufte”, tha Larijani në fjalimin e tij në Parlament.

Agjencia e lajmeve IRNA citon se Larijani gjithashtu ka thënë se vrasja e Soleimanit ka ndryshuar ekuilibrin politik të rajonit dhe komunitetit ndërkombëtar.

Në një sulm ajror jashtë aeroportit të Bagdadit u vranë Soleimani dhe nënkryetari i grupit Hashd al-Shaabi të mbështetur nga Irani, Abu Mahdi al-Muhandis.

Vrasja e Soleimanit shënon një përshkallëzim dramatik në tensionet mes SHBA-ve dhe Iranit, të cilat shpesh kanë qenë të përkeqësuara që kur presidenti Donald Trump në vitin 2018 zgjodhi që të tërhiqte SHBA-të në mënyrë të njëanshme nga marrëveshja bërthamor që fuqitë botërore e nënshkruan me Teheranin.

Udhëheqësi suprem i Iranit, Ali Khamenei, i cili i dha Soleimanit çmimin më të lartë shtetëror vitin e kaluar, u zotua për “një hakmarrje të hidhur” si reagim ndaj vrasjes.

Pentagoni akuzoi Soleimanin për planifikimin e një sulmi ndaj kompleksit të Ambasadës së SHBA-ve në Bagdad dhe se planifikonte të kryente sulme shtesë mbi diplomatët dhe anëtarët e shërbimit amerikan në Irak dhe rajon.//AA

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb