Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, uron besimtarët e krishterë dhe të gjithë shqiptarët me rastin e Festës së Krishlindjes. Teksa kujton festat pas 26 nëntorit dhe tani në pandemi, Kryeparlamentari Ruçi uron që këto të jenë kufizimet e fundit të festave dhe jetëve tona.

“Të bukuria e besimit të zbulojmë bukurinë njerëzore. Urim të veçantë emigrantëve që nuk festojnë në atdhe”, shprehet ndër të tjera kreu i Kuvendit Gramoz Ruçi.

MESAZHI I PLOTË
Në ditën e bukur të Festës së Lindjes së Krishtit, u uroj besimtarëve të krishterë dhe të gjithë shqiptarëve shëndet dhe lumturi në vatrat familjare. Është i dyti vit që shqiptarët dhe i pari dhjetor që besimtarët anembanë globit nuk e festojnë Krishtlindjen siç do të dëshironin. Tërmeti i 26 nëntorit na detyroi për një kohë të rrinim me ankth në shtëpitë tona dhe fëmijët të luanin jashtë tyre, ndërsa pandemia na detyroi të mbylleshim në shtëpi dhe të kufizohemi nga gëzimet e jetës. Uroj që këto të jenë kufizimet e fundit të festave dhe jetëve tona. Nga mot, do festojmë të gjithë bashkë dhe emigrantët do të vijnë lehtësisht te të afërmit dhe atdheu i tyre.
Mesazhi i Krishtlindjeve është më i fuqishëm dhe më domethënës se asnjëhere në jetën e brezave që sot festojnë: familja, besimi, ndihma, solidariteti, mirënjohja, komuniteti, përkushtimi dhe mirësia janë sfiduesit më të mëdhenj të pandemisë. Pas muzgut që shkaktoi pandemia, po agon drita që vjen prej dashurisë, forcës njerëzore dhe dëshirës për jetën. Te fuqia dhe bukuria e besimit të zbulojmë bukurinë e dashurinë njerëzore.
Le të vazhdojmë t’i nxjerrim jashtë jetëve tona armiqsitë, konfliktet, individualizmin, egoizmin dhe teprimet dhe t’i kushtohemi mbrojtjes së jetëve njerëzore.
Pasioneve dhe egocentrizmit t’u kundërvemë përkushtimin për të ndihmuar, shëruar, shërbyer e shpëtuar jetë.
Diferencat e dallimet midis nesh nuk janë rreziku ynë, por burimi i fuqisë sonë dhe i pasurisë së shoqërisë, pjesë e mozaikut të vlerave tona.
Dashuria për tjetrin, nevojtarin e të ndryshmin; harmonia e paqja me ata që na rrethojnë; gëzimi i jetës dhe i fëmijëve; shpresa se nesër gjithshka do të jetë më mirë; janë sot kuarteti i vlerave që duhet të na udhëheqin.
Festa e Krishtlindjeve është çasti i duhur për të na nxitur drejt idealeve e modeleve më të mira që aspirojmë në jetët tona: mendjehapjes e bujarisë, afeksionit dhe vetëpërmbajtjes, largimit prej veseve dhe afrimit me vyrtytet.
Festa e Krishtlindjeve është mundësia për të nderuar edhe njëherë mjekët, infermierët dhe të gjithë ata që janë në vijën e parë të betejës për mbrojtjen e jetëve.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb