TIRANË- Kreu i Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë, Anastas Janullatos ka uruar të gjithë besimtarët me rastin e festës së Krishtlindjeve. Kryepeshkopi Janullatos tha se tek kremtimi i Krishtlindjes, të gjithë mund të gjejnë frymëzim, besim e shpresë për kapërcimin e problemeve të tyre.

“Rrëfimet e Ungjillorëve për Lindjen e Krishtit na theksojnë vështirësitë e mëdha që kaloi shpëtimtari i botës. Por njëkohësisht përcaktojnë shembullin për ata që na shohin me devocion. Jezui u përul duke theksuar vlerën e të përulurit. Lindi në vend të varfër duke treguar dinjitetin e të varfërve. U persekutua duke theksuar dinjitetin e atyre që ndiqen me të padrejtë. U mundua si fëmijë që të mos harrojmë të drejtën dhe nevojën e familjeve të devota. Por mesazhi më të thellë të festës na e zbulon ungjillori Joan, ai tha: Në fillim ishte Fjala dhe Perëndi ishte Fjala dhe Fjala u bë mish dhe qëndroi ndër ne. Mishërimi i fjalës mbështet sigurinë se atje ku do Perëndia, mposhtet rregulli i natyrës. Dhe kjo na fal mundësinë për të kapërcyer të pamundurat nga ana njerëzore. Le të kremtojmë Krishtlindjen duke marrë frymëzim, besim dhe shpresë për kapërcimin e problemeve tona personale e sociale. Krishtlindje të bekuara!”, uroi Kryepeshkopi i Tiranës, Durrësit dhe gjithë Shqipërisë, Anastas Janullatos.

MESAZHI I PLOTË I KRYEPESHKOPIT ANASTAS JANULLATOS

Të mahnitshme janë ndërhyrjet e Perëndisë
Kapërcimi i së pamundurës

Klerit dhe popullit shpresëtar Orthodhoks,
Bij të shtrenjtë më Zotin,

Të papritura janë mënyrat me të cilat vepron Perëndia; të pakapshme për logjikën njerëzore. Ngjarjet e Krishtlindjes na sigurojnë për këtë të vërtetë.
Jesu Krishti, Shpëtimtari i botës, nuk vjen në historinë e njerëzimit si ushtarak apo qeveritar i tërëfuqishëm. Nuk imponohet me anë të fuqisë, pasurisë dhe diturisë së jashtme. Lind në një vend të varfër, në grazhdin e një stalle, në një ambient jomikpritës, indiferent deri në armiqësor. Nëna e Tij e dhembshur, “e mbështolli me shpërgënj dhe e vuri të rrijë në grazhd, sepse nuk kishte vend për ata atje ku kishin rënë.
Bërja njeri e Fjalës së Perëndisë gërshetohet me rrethana kundërshtuese dhe rrugë të shumëllojta pa krye. Para Lindjes, Josifi i drejtë skandalizohet dhe do që të braktisë Nënën e tërëdëlirë të Jisuit. Banorët e Bethlehemit tregojnë indiferencë të plotë për të Tërëshenjtën që është gati të lindë. Ende foshnjë, Jisui kërcënohet nga mania e Herodit paranojak. Mes këtyre kërcënimeve zgjidhja vjen me energji hyjnore në bashkëpunim me virtytin njerëzor të Josifit “të drejtë” dhe të Marisë së panjollëshme.
Rrëfimet e Ungjillorëve për Lindjen na zbulojnë se përkujdesja e Perëndisë ndjek rrugë të panjohura më parë. Kjo ka vlerë jo vetëm për mbarë historinë njerëzore, por edhe për historinë tonë personale. Sa më shumë që lidhemi me Krishtin, me besim të thellë dhe bindje të plotë te vullneti i Tij, problemet e shumëllojta personale, familjare e shoqërore zgjidhen paqësisht. Njëkohësisht, me frymëzimin dhe fuqinë e Tij hyjnore mundemi edhe ne të kontribuojmë në kapërcimin e rrugëve të ndryshme pa krye: Duke çelur hapësira mirëkuptimi dhe pajtimi atje ku të gjitha janë të vulosura nga zemërngurtësia, dyshimi i lig, mendjeshkurtësia, urrejtja, fanatizmi.
Paralelisht, ngjarjet historike të Lindjes së Krishtit përcaktojnë shembullin e jetës për ata që E pasojnë me devocion. Jisui u përul, duke theksuar vlerën e të përulurve. Lindi në vend të varfër, që të mos përbuzen të varfrit. U persekutua, duke theksuar dinjitetin e atyre që ndiqen me të padrejtë. Vuajti, duke frymëzuar dhembshurinë për ata që heqin keq. U mundua si fëmijë, që të mos harrojmë të drejtat dhe nevojat e fëmijëve të botës.

Por, ekziston edhe një tjetër dimension i Krishtlindjes, ai theologjik dhe kozmologjik, që na e zbulon Ungjillor Joani. Ai thekson faktin se Misteri i madh i Lindjes lidhet me mbarë krijesën: “Në fillim ishte Fjala,… dhe Fjala ishte Perëndi… Dhe Fjala u bë mish dhe qëndroi ndër ne” (Jn. 1:1,14). Ungjillori hedh dritë mbi misterin e Mishërimit që përbën kapërcimin e së pamundurës nga ana njerëzore dhe na fton të shikojmë kuptimin dhe perspektivën e tij më të thellë.
Me gjithë përkimet e vjetra me filozofinë antike greke dhe përpunimin e saj hebraik, koncepti i Fjalës merr një kuptim të ri theologjik tek Ungjilli sipas Joanit. Fjala është Jisu Krishti, Krijuesi i gjithësisë, drita dhe jeta e njerëzimit, i Cili u bë njeri për shpëtimin e botës. Shën Joan Gojarti e përmbledh këtë shkurt: “Dhe mos kërko se si. Se atje ku do Perëndia, kapërcehet rregulli i natyrës. E deshi, e bëri atë të mundur. Zbriti (në tokë) shpëtoi. …Ndërsa ishte Perëndi, bëhet njeri, pa reshtur së qeni Perëndi. Por nuk u bë njeri me tjetërsim të Hyjnisë dhe as u bë përsëri nga njeri Perëndi me zhvillim progresiv. Por, duke qenë Fjala pa pësim, pa kurrfarë tjetërsimi mori mish, pa ndryshuar natyrën e Tij hyjnore” (Migne P.G.56:385-386). Në personin e Krishtit u bashkuan natyra hyjnore dhe ajo njerëzore.
Perëndia i paafrueshëm dhe i pafund mori natyrën njerëzore, duke nxjerrë në pah vlerën e pafundme të njeriut, si në entitetin e tij shpirtëror, ashtu edhe në atë trupor. Si rrjedhojë, ajo që i jep vlerë çdo njeriu nuk është origjina e tij, raca, dijet, aftësitë e tij, gjinia, paraqitja e jashtme, pasuria, por fakti se është njeri.
Shumë, nuk e pranojnë të vërtetën e mishërimit të Fjalës. “Sepse besimi nuk është tek të gjithë” (2Thes.3:2). Ungjillor Joani e nxjerr këtë në pah: “Erdhi në të tijtë dhe të tijtë nuk e pritën atë” (Jn.1:11). Judenjtë që e prisnin si Mesi, nuk e njohën si Shpëtimtar. Të tjerë e quajtën si “dobësi” faktin që “Perëndia u shfaq në mish” (1Tim.3:16). “Edhe sa e pritën, atyre u dha pushtet të bëhen bij të Perëndisë, atyre që besojnë me anë të tij” (Jn.1:12). Falë besimit të tyre, Perëndia u fal aftësinë dhe pushtetin që të bëhen jo vetëm pasues të Tij, por “bij të Tij”, duke u hapur atyre rrugët për kapërcimin e mëkatit dhe të vdekjes, që të bëhen “pjesëmarrës të natyrës hyjnore” (2Petr.1:3-4). Kjo mundësi unikale vihet në veprim brenda Trupit mistik të Krishtit “që është Kisha”, me hirin dëlirësues të Mistereve.
Sigurisht këto të vërteta nuk imponohen as me dhunë, as me forma intelektuale. Ato mund të përqasen dhe përjetohen “në besim”. Dhe Kisha na fton të përqasemi në këtë mënyrë, veçanërisht në të kremtet e mëdha.

“Atje ku do Perëndia, mposhtet rregulli i natyrës.
E kremtja e Krishtlindjes, vëllezërit e mi, na kujton kushtet specifike dhe vështirësitë në të cilat eci, qysh foshnjë, Jisu Krishti, por, mbi të gjitha, faktin se Ai është Fjala, i Cili u mishërua “dhe banoi ndër ne”. Shpesh edhe ne përballemi me kundërvënie të pakapërcyeshme. Le të mos e humbasim mendjen. Besimi në Krishtin fal bindjen se nuk jemi të vetëm në një botë të ashpër. Fjala e mishëruar e Perëndisë mbetet në mënyrë të pandërprerë me ne. Ai jep kuptim, dritë dhe fuqi në çdo fazë të jetës sonë. Ai çel udhë në vende të vështira për të kaluar. Ofron mundësinë e kapërcimit të asaj që është e pamundur nga ana njerëzore. Me sigurinë se “të pamundurat për njerëzit janë të mundura për Perëndinë”, le të kremtojmë Krishtlindjen, duke marrë frymëzim, besim, qëndrueshmëri dhe shpresë në sprovat e vogla ose të mëdha, në problemet tona personale dhe sociale.
Krishtlindje të bekuara! Viti i Ri le të na sjellë paqe!

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb