GREQI –Kryepeshkopi Anastas ka deklaruar në takimin e zhvilluar të martën me kryeministrin grek se takimi në fjalë ishte paracaktuar para dorëheqjes së Aleksis Tsipras.

Sipas asaj që është bërë publike në median greke, Anastas i është drejtuar Tsiprasit me fjalët: “Takimi ynë ishte planifikuar shumë kohë përpara, por ai u vonua disi dhe unë nuk doja ta shtynim më shumë. Planifikuam takimin shumë më përpara se të ndodhnin këto ngjarje, dhe unë kisha një hezitim për t’i shtuar një takim më shumë axhendës suaj të ngjeshur”, por nuk specifikon se për cilat ngjarje e ka fjalën.

Më pas Anastas është shprehur se “Shqipëria është një vend shumë i rëndësishëm, vend fqinj. Me gjithë zemër besoj se atë që do populli është respekti, dashuria, e vërteta, mendimi krijues dhe vepra krijuese dhe këtë po përpiqemi të bëjmë. Do të gëzohemi se pavarësisht rezultateve të zgjedhjeve në Greqi, do të vizitoni Shqipërinë”, i është drejtuar kryepeshkopi Anastas kryeministrit në detyrë Aleksis Tsipras.

Në këtë bisedë Tsipras ka theksuar se Athina zyrtare ndjek nga afër dhe me shumë interes veprën e kësaj Kishe për besimtarët e saj dhe për popullin shqiptar. “Është një vepër që përveç përpjekjeve për rindërtimin e kishave në Shqipëri prej vitit 1991, përfshin edhe iniciativa shumë të rëndësishme sociale në fushën e arsimit, shëndetësisë, zhvillimit rural, mbrojtjen e trashëgimisë kulturore dhe mbrojtjes ekologjike”, është shprehur Tsipras, i cili është një ateist i deklaruar.

Kryepeshkopi Anastas uroi Kryeministrin grek që Perëndia t’i japë urtësi për të vazhduar të vlerësojë saktësisht realitetin ku ndodhet Greqia dhe për të marrë vendimet e duhura.

(b.e/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb