TIRANE– Kryepeshkopi i Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë, Anastas Janullatos, i bashkohet fushatës së gjelbërimit të Shqipërisë të iniciuar nga ministri Klosi. Lajmin e ka bërë të ditur vetë ministri i Turizmit dhe Mjedisit, nëpërmjet një statusti në profilin e tij zyrtar në FB.

“Faleminderit fortlumturia Juaj, Imzot Anastas që i bashkoheni Ditëve të Pemëve, më 23 dhe 24 shkurt! Me bekimin Tuaj dhe kontributin e çdo besimtari, kjo fushatë gjelbërimi do të jetë më e madhja, që ka parë vendi në 3 dekadat e fundit!”, shkruan ministri Klosi, duke ripostuar një status të zv.ministres Ornela Çuçi e cila ka zhvilluar një takim me kreun e Kishës Ortodokse.

Ministria e Turizmit dhe Mjedisit ka shpallur Ditët Kombëtare të Pemëve me datat 23 dhe 24 shkurt të cilat për herë të parë do të mbahen këtë vit.

Për Ditët e Pemëve që do të festohen çdo vit me mbjellje fidanësh si dhe për të gjithë fushatën e pyllëzimit ministri Klosi ka bërë vazhdimisht apel qytetarëve dhe bizneseve që të bashkohen me qëllim rigjenerimin e mjedisit të dëmtuar rëndë në dekadat e fundit.

“Me 20 milionë e 200 mijë pemë, Shqipëria do të jetë vendi më i gjelbëruar në rajon në vitin 2020!”- përmbyll statusin e tij ministri Klosi duke përsëritur zotimin e tij për zbatimin e nismës që synon të gjelbërojë masivisht Shqipërinë.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb