TIRANE – “Ka njerëz të mirë e të ndershëm kjo botë dhe është fat nëse i takon, ky fat më takoi mua sot”. Kështu shkruan kryeredaktorja e “News24”, Anila Jole në faqen e saj zyrtare në “Facebook”, ku ka shprehur mirënjohjen për një njeri të panjohur, i cili nuk nguroi t’i kthente çantën e humbur në plazhin e Lukovës. Ky njeri i panjohur, pasi gjeti çantën me telefona dhe para, telefonoi numrat e fundit me të cilat kishte komunikuar kryeredaktorja dhe më pas e la çantën në një lokal, pa pritur të prezantohej apo të merrte falënderimet e merituara. Me të drejtë kryeredaktorja Jole e cilësoi veprimin e këtij njeriu si burim pozitiviteti. Pa mundur ta falënderonte personalisht personin që siç shprehet ajo, i zbukuroi pushimet me mirësinë dhe ndershmërinë e tij, kryeredaktorja e “News24” e ka publikuar rastin në rrjetet sociale, si për të treguar se njerëzit e mirë janë të rrallë dhe ne nuk e dimë e nuk presim të gjendemi mes tyre.
“Ka njerëz të mirë e të ndershëm kjo botë dhe është fat nëse i takon. Ky fat më takoi mua sot, në plazhin e Lukovës, nëpërmjet një njeriu të panjohur i cili gjeti çantën time, me 2 telefona dhe para brenda. Ky njeri nuk vazhdoi rrugën duke iu “gëzuar” gjetjes, por pa përtuar bëri serinë e telefonatave të mia të fundit për të më njoftuar dhe pastaj e la çantën te lokali pranë të cilit e gjeti dhe iku pa na pritur e pa u identifikuar. Më gëzoi shumë fakti që çanta do kthehej, por sinqerisht, edhe më shumë me ngazëlleu ai veprim që më dha pozitivitet dhe me zbukuroi pushimet. Ky status i dedikohet një njeriu të panjohur por shumë të mirë të kësaj bote, duke e falenderuar me shumë mirënjohje për mirësinë e tij”- shkruan kryeredaktorja Anila Jole.
(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb