Kryesuesja e listës së Partisë Socialiste në Qarkun e Durrësit, Milva Ekonomi, foli në emisionin “Koha për t’u zgjuar”, në News24, për fushatën elektorale të zgjedhjeve parlamentare të 25 prillit.

Ekonomi tha se 25 prilli do të ndajë mënyrën si do të drejtohet Shqipëria në të ardhmen, ndërsa shtoi se PS vjen me vendosmërinë për të çuar deri në fund procesin e transformimit.

“Kjo është një fushatë e rëndësishme, sepse zgjedhjet e 25 prillit kanë një tjetër angazhim. Është angazhimi që ndan si do të drejtohet Shqipëria në të ardhmen. PS vjen me një vendosmëri për të çuar deri në fund procesin e transformimit. Kështu që ne kërkojmë të marrim shumicën dhe synojmë fort për këtë gjë. Ne deputetët e Durrësit kemi qenë gjithmonë bashkë për të mbrojtur interesat e qytetarëve. Kemi pasur dhe fatin e keq që u goditëm shumë nga tërmeti. Edhe në këtë fushatë vijmë me unitet. Kur shkojmë nëpër zona, takimet tona janë të orientuara me strukturat e partisë, të FRSSH, me strukturat që përfaqësojnë gratë, pra në të gjitha rastet ne jemi bashkë. E rëndësishme është se edhe ata që nuk janë në grupin e parë të listës, dinë si të punojnë. Ne e dimë që për ne e rëndësishme është PS, nuk ka rëndësi si jemi ne të vendosur në grup. Për të gjithë ne e rëndësishme është numri 12”, tha ajo.

Më tej, ministrja e Bujqësisë foli dhe për disa nga çështjet më të ndjeshme të aktualitetit, si rindërtimi dhe vaksinimi nga koronavirusi, por edhe për shqetësimet kryesore që ngrenë sot fermerët shqiptarë.

Si po ecën rindërtimi dhe a po përdoret kjo për fushatë?
Mua m’u caktua detyra e përllogaritjes së dëmit, kështu që e kam ndjekur nga afër dhe i di të gjitha llojet e dëmeve që u pësuan. Është një ngjarje që nuk ka të bëjë me forcën politike, por me Shqipërinë, me vendin. Edhe në Konferencën e Donatorave vendet e botës dhanë mbështetje për Shqipërinë, për vendin tonë, jo për partinë, por këtë gjë e pati përsipër Edi Rama. Rindërtimi ka pasur një strukturë të menduar për shërbimet publike, shkolla, qendra shëndetësore, kabina elektrike, godina sociale, si dhe sa i takon infrastrukturës. Kryesore në rindërtim ka qenë të ndërtojmë më mirë.

Po vaksinimi?
Është e papritur për të gjithë botën. Më kujtohet ministrja jonë shumë punëtore e Shëndetësisë, kur më 8 mars të vitit të kaluar gjetëm rastin e parë, ku që nga ai moment nuk është pushuar duke punuar për pandeminë. Përveçse bëmë lock-down, mbyllëm ekonominë, ndihmuam bizneset, familjet me pagën e luftës. Ne arritëm të bënim një formalizim të ekonomisë, por dhe të jepnim mbështetje për të gjithë. Kjo ndihmoi në formalizim. Pas kësaj, ne filluam përpjekjet për vaksinën. Shqipëria pagoi këstin e parë për të qenë e angazhuar, për të parë dozat e para të vaksinave, por nuk mjaftoi kjo. Kryeministri Rama vijoi angazhimet me Pfizer dhe kompani të tjera. Beteja është që në këtë sezon turist, turizmi të jetë i shëndetshëm, të fillojë të punojë. Edhe në këtë rast, luftën për të çuar përpara vaksinimin e ka marrë përsipër PS, sepse i ka rënë barra për ta marrë. Ama ne do ta çojmë deri në fund.

Si e shihni realitetin, tani që po bëni dhe turin e takimeve të fushatës?
Uji i pijshëm dhe energjia janë dy gjërat që kërkohen më shumë në komunitet, ashtu si dhe rrugët. Falë projekteve të qeverisë, por edhe mbështetjes që kemi marrë nga ndërkombëtarët, sot kemi furnizim më të mirë me ujë të pijshëm, dhe synojmë që në mandatin e tretë ta realizojmë furnizimin me ujë 24 orë. Uji dhe energjia janë shtyllat kryesore për të krijuar kushte më të mira për turizmin, që është shtylla e ekonomisë sonë.

Po për bujqësinë, si mund t’iu përgjigjen ankesave të banorëve të fshatrave?
Ka dy forma që ndihmohet fermeri i vogël, që janë format horizontale që kanë të bëjnë kryesisht me sipërfaqen e ujitshme. Këtë mandat ne llogarisim të shkojmë në 324 mijë hektarë tokë të punueshme, që të ketë ujë. Por, të gjithë fermerët janë ndihmuar edhe me skemën individuale, ku ndërhyrja kryesore ishte mbështetja me plasmas, me pagesë për numrin e krerëve që kanë, mbështetje me certifikata, me paketime e të tjera gjëra. Është skema e IPARD, një mbështetje që vë BE, që u jepet atyre për të përmirësuar pikat e grumbullimit, agroturizmin, etj. Së fundi, ne kemi skemën e naftës, që përfundoi dje afati i aplikimit. Ishin mbi 21 mijë fermerë, që aplikuan, një numër rekord ky, se nuk ka ndodhur asnjëherë më parë. Me këtë, fermeri merr një kartë në pikat e karburantit për tërheqje nafte, afati i së cilës është deri në nëntor të këtij viti. Këtë karburant e jep Ministria e Bujqësisë, fermeri e merr me logon e ministrisë.

Një mesazh për publikun…
Unë e ftoj publikon të votojë numrin 12, sepse PS do të çojë përpara gjithë rimëkëmbjen e vendit dhe do të luftojë shumë për mirëqenien e familjes. Ne në Durrës synojmë mandatin e nëntë.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb