Rastësisht sot në shtyp, pashë një deklaratë të Kryetares së Gjykatës Kushtetuese të Republikës, znj. Holta Zace, mbi hallet e saj të mandatit për vendin e punës. Pa pretenduar se e njoh çështjen, e lexova shkarazi, por ajo që më bëri përshtypje ishte fotografia që shoqëronte deklaratën e shtypit të saj. Kryetarja e Gjykatës ishte dekoruar me “Urdhrin e Skënderbeut,” nishan ky i krijuar nga Presidenti i Republikës Shqiptare, Ahmet Zogu, dhe më vonë Mbreti i Parë, Zog. (foto 1)
“Urdhri i Skënderbeut,” të cilin Zogu e jepte për merita të veçanta në katër shkallë: “Urdhëri i Lartë,” “Oficer i Lartë,” “Komandant,” dhe “Anëtar,” e vazhdoi jetën e vet deri më 1940, kur, me bashkimin e Shqipërisë me Italinë Fashiste, italianët e reformuan sistemin e dekoratave të Mbretit tashmë të larguar, duke e hequr nga lista e nishaneve zyrtare.
“Urdhëri i Skënderbeut,” apo si njihej për kohën “Komandanti i Skënderbeut,” nuk u përdor më pas Luftës së Dytë Botërore, kur Qeveria e Enver Hoxhës krijoi ose adoptoi një sërë medaljesh të frymëzuara nga Lindja Komuniste. “Urdhëri i Skënderbeut” mbeti një relike interesante për koleksionistët e periudhës monarkiste.
Duke njohur pak a shumë këtë histori, u çudita se si Kryetarja e Gjykatës së Republikës kishte mundur të dekorohej me një medalje mbretërore, një urdhër që për më tepër nuk njihet dhe nuk përdoret më.
Për të zgjidhur këtë pyetje të çuditshme, iu drejtova disa koleksionistëve që i njohin mirë nishanet historike. Duke qeshur, më thanë se nuk kishte asnjë mister në këtë çështje. Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, duke kërkuar një nishan për institucionin e saj, i kishte rënë për shkurt. Me siguri, duke lundruar në internet, kishte gjetur dekoratën e Zogut dhe kishte vendosur ta përdorte për nishanin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës. Dhe, si për ta bërë edhe më komike këtë farsë, më dërguan edhe një foto ku i gjithë Trupi i Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë kishte të qepur në gjoks “Urdhrin e Skënderbeut” të dekretuar nga Mbreti Ahmet bej Zogu i Parë. (Të vetmin ndryshim ishte se kishin hequr yllin dhe e kishin zëvendësuar me përkrenaren e Skënderbeut.)
Dhe, për t’i shtuar edhe më shumë dozat e komedisë në vendin tonë të dashur, mora vesh se këtë Urdhër të Mbretërisë e përdorin sot vetëm trashëgimtarët e Familjes së Mbretit Zog për të dekoruar ndonjë dashamirës të tyre.
(Balkanweb)