Reforma “finore” territoriale mund të quhet de juro dhe de fakto e dështuar në disa prej objektivave kryesore që ajo kishte. De juro sipas KLSH-se dhe de fakto sipas çdo shqiptari që vardiset nga zyra në zyre, kjo reformë ka pasur efekt negativ në shkurtimin e shpenzimeve të personelit, kontrollin e abuzimeve me tenderat dhe delegimin e kompetencave në zyrat qendrore. Për shembull, shpenzimet për personelin u rritën me 14.6 miliardë lekë më shumë se dyfishi i vitit 2010. Por kjo nuk më shqetëson aq shumë se sa dështimi për të ndryshuar kulturën e kryedrejtuesit lokal.

Transformimi që u ka bërë reforma kryetarëve të bashkive nga derrkucë korrupsioni në hipopotamë lekngrënës me pamje të rrumbullakët (në shumicën e rasteve) është prova lakuriqe e kësaj palo-kulture. Duke hequr qafe skllavopronarët e komunave, reforma territoriale krijoi parajsën e korrupsionit dhe abuzimit për pashallarët e bashkive. Edhe pse me keqardhje, me duhet t’i jap hipopotamit një konotacion negativ duke e krahasuar me Pashallarët e Bashkive vetëm për shkak të një historie tragji-komike që reflekton me satirë realitetin shqiptar. Në fund të fundit, hipopotamët gjithmonë konsiderohen si të ëmbël, të rrumbullakët dhe paqësor, por në fakt në Afrikë mbajnë numrin e parë në vrasjen e civilëve nga kafshët e egra.

Njësoj edhe kryebashkiakët, të lënë në hije nga mega-korupsioni i qeverisë qendrore, shkaktojnë dëme ekonomike dhe sociale të pariparueshme për qytetet e vendit, por mëkatet e tyre harrohen e relativizohen nga mediat kombëtare. Ndërsa mediat lokale, janë të pafuqishme në më të mirën e rastit dhe të kapura në më të keqen për të denoncuar shkeljet që bërtasin e që çdo qytetar i vogël e i madh i di e i dëgjon përditë.

Historia tragji-komike nis në fillim të viteve 1980, kur famëkeqi Eskobar vendosi të hapte një park zoologjik në vilën e tij midis Medellin dhe Bogotas. Midis qindra kafshëve të transportuara kontrabandë nga e gjithë bota, vendosi të sillte edhe 4 hipopotamë nga Afrika, tre meshkuj dhe një femër. Kopshti Zoologjik ishte i hapur dhe falas për të gjithë.

Fëmijët vinin ekskursion nga e gjithë Kolumbia për të parë hipopotamët dhe kafshët e panjohura për kontinentin e Amerikës së Jugut. Kur perandorisë së drogës i erdhi fundi në fillim të viteve ‘90, vila bashkë me parkun u konfiskuan nga qeveria kolumbiane. Të gjitha kafshët u shpërndan nëpër kopshtet zoologjike të vendit, përveç hipopotameve.

Mungesa e logjistikës, personelit të trajnuar dhe pamundësia e krijimit të kushteve jetësore për hipopotamët, bënë që Ministria e Mjedisit mos t’i lëvizte ata deri në një moment të dytë. Por pas vitesh të tëra neglizhimi, hipopotamët u kthyen në problem për të gjithë zonën dhe jo vetëm. Të lënë të vetëm në park me luksin e një liqeni të cekët ekskluziv për ta, jeshillëkut tropikal, reshjeve të shiut gjatë gjithë vitit dhe asnjë kërcënimi nga kafshë të tjera në zinxhirin ushqimor, hipopotamët po jetonin në parajsën e tyre utopike. Nga 4 që ishin në fillim, në vitin 2000 u bënë më shumë se 50.

Normalisht, riprodhimi dhe përmasat trupore të tyre limitohen ndjeshëm nga thatësira afrikane duke ruajtur balancat e ekosistemit. Por hipot po jetonin në mjedisin e ëndrrës. Tashmë hipopotamët mëse të fryrë si gjigand, ose dinozaurët e Eskobarit siç i quajnë vendasit, përbëjnë një rrezik për jetën e banorëve dhe për të gjitha kafshët e tjera të zonës. Shumë prej tyre janë arratisur nga parku dhe lundrojnë nëpër lumenjtë jeshil të Kolumbisë duke shtypur çfarë u del përpara.

Një parajsë e vërtetë për këto kafshë që gjenetikisht janë “mësuar” me thatësirë, me kursimin e ujit dhe me kujdesin e peshës trupore. Por llupsi i shtuar nga kushtet ideale po rrezikon gjithçka përreth tyre. Qeveria Kolumbiane madje ka dërguar dhe ushtrinë për të kontrolluar hipopotamet por përsëri pa pasur sukses. Tashmë kolumbianët, pas afro 40 vitesh nga ardhja e 4 hipopotamëve, kërkojnë ndihmë ndërkombëtare për zgjidhjen e situatës.

Po ne kujt t’i kërkojmë ndihmë për hipopotamët e bashkive tona? Hipot e bashkive të Shqipërisë, të etur nga thatësira e skamjes dhe varfërisë që ka pllakosur Shqipërinë, si të pangrënë turren në lumin jeshil të taksave tona. Fryhen shumë si arrogante, riprodhohen duke pjellë hipo junior dhe ironikisht fryhen akoma më shumë edhe fizikisht. Me sa duket, uria e korrupsionit dhe moscivilizimi është në trajtë të drejtë me urinë ushqimore dhe moskujdesjen për shëndetin. Ose dembelizmi është në trajtë të zhdrejtë me aftësinë.

Kjo kulturë hipopotami po shkatërron edhe mjedisin përreth, duke transformuar drejtorët lokale dhe administratën lokale në derrkucë herë të vegjël e herë të ekzagjeruar që duan t’i ngjajnë sa më shume hipos së bashkisë.
Sipas KLSH-së, vetëm në vitet 2015-2016 janë më shumë se 700 milionë dollar abuzimet e bëra nga bashkitë e formuara nga reforma territoriale. Një shumë marramendëse duke marr parasysh buxhetin e secilës prej bashkive të akuzuara.

Ndryshimi i palo-kulturës të drejtuesve lokalë është një problem që duhet ta sfidojmë sa më parë. Pastrimin e hipopotameve dhe zhdukjen e drejtorucëve duhet ta shoqërojë promovimi i individëve të përgjegjshëm moralisht dhe profesionalisht. Prandaj, për zgjedhjet e ardhshme lokale kryetarët e partive kanë një rast tjetër historik për nxitjen e spastrimit të palo-kulturës prej hipopotami dhe dhënien e shpresës se kultura e përgjegjësisë po fillon.

* Ing. Sofokli Cakalli
Graduate Research Assistant
Texas A&M Transportation Institute
Structural Engineering – Texas A&M University
College Station, TX 77843-1228

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb