I ftuar në emisionin “Alert” në News24 nga Granit Sokolaj, kryetari i Shoqatës Shqiptare të Touroperatorëve dhe Agjencive Turistike Rexhep Kasmi ka folur për problemet që po kalon industria e turizmit dhe se sa do e përballojë vendi ynë këtë situatë të pazakontë. Ai deklaroi se këtë vit do kemi 3 muaj turizëm dhe se do sigurohet jo më shumë se 40% e volumit të vitit të kaluar dhe se sektorë të ndryshëm janë në pikëpyetje nëse duhet të fillojnë punën apo jo.

“Faza e parë është aplikimi onlinë, një procedurë e thjeshtë që nuk është risi, por do shikohet më pas sesi do menaxhohen plazhet. Forma se kush do përfitojë nuk ka rëndësi, por nëse strukturat e shtetit janë organizuara, të cilat duhet të kenë kapacitetet të trajnojnë njerëzit. Masat e shtetit janë më të rëndëishme se faza e parë e aplikimit, elektronika po na thjeshtëzon jetën. Akoma nuk kemi turizëm, kemi përgatitje për të bërë turizëm. Lajm i mirë është hapja e kufijëve, njerëzit janë të shokuar nga kjo periudhë, nuk bëhet fjalë për turizëm akoma. Jemi në mes të vitit, nëse në një vit turizmi i ka dhënë shtetit 2.5 mld euro, do të thot që gjysma e vitit ka kaluar. Varet se si do jetë dinamika, plazhi frekuentohet kryesisht në korrik dhe gusht. Me këtë çorientim të masave nuk dihet se si do funksionojë, pasi edhe nëse do ketë kërkesa ka kufizime dhe do sigurohet jo më shumë se 40% e volumit të vitit që kaloi. Agjencitë që merren me bileta avioni s’kanë nisur ende punë, tur-operatorët të papunë, të dëmtuar. Sektorë të ndryshëm janë në pikëpyetje nëse duhet të fillojnë punë apo jo. Shpresojmë që të kemi edhe turistë të huaj që do frekuentojnë vendin tonë. Ishte një situatë e paprovuar, ishim të papërgatitur, por kemi shumë modele nga jashtë se si duhet të veprojmë”-deklaroi Rexhep Kasmi.

Rexhep Kasmi ngriti problemin e mosmarrjes pjesë të specialistëve në vendimmarrje për turizmin dhe kërkoi që vendimet të jenë më të mirëstudiuara ku të thirren të gjithë aktorët.

“Në vendin tonë merret vendim nga ata që kanë të drejtë dhe ne e marrim vesh nga media ose Facebook, ndërsa në botë funksionin ndryshe. Qeveria duhet të përcaktojë sa e ka buxhetin për të mbështetur turizmin, pastaj fillon diskutimi me specialistë se si duhet ndarë kjo ndihmë. Këto vendime që merren nga ekip i paplotësuar duhet të studiohen më mirë dhe të thithen mendime nga të gjithë aktorët, pasi kjo mungon në vendin tonë. Gjithashtu duhet të shikohet edhe problemi i taksave, nëse ekziston mundësia që t’i ulin”-tha Kasmi.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb