Ish-deputeti i LSI-së Endrit Braimllari, me anë të një postimi në “Facebook” shkruan se kryetari i Bashkisë së Maliqit duhet që të hetohet nga SPAK.

Braimllari thekson se në rrugën Libonik-Maliq, ku u kryen më herët punime, po punohet sërish, pasi punët ishin bërë jashtë çdo standardi.

Postimi i deputetit Endrit Braimllari:  

Kryetari i Bashkisë Maliq të hetohet nga SPAK. Rruga Libonik-Maliq e përfunduar vetëm para disa muajsh ,me një vlerë më shumë se 1 milion euro. Sot është përsëri duke u punuar pasi punimet janë kryer jashtë çdo standarti duke abuzuar me fondet publike.

Fjala e plotë e Endrit Braimllarit:

Jemi në rrugën kryesore të Libonikut të bashkisë së Maliqit. Vetëm më pak se 1 vit më parë kanë përfunduar punimet në këtë rrugë, që ka qenë një investim më shumë se 1 milionë euro dhe shikoni se çfarë bëhet sot. Përsëri sot kanë nisur të bëjnë gërmime, sepse përsëri është mbytur nga ujërat e zeza dhe shirat.

Pra tregon qartë mënyrën skandaloze të punimeve, që abuzimi ka qenë në ekstrem. Ndaj sot duhet që SPAK të hetojnë kryebashkiakun e Maliqit për abuzimet në bashkinë e Maliqit dhe kryesisht në këtë segment kryesor të bashkisë.

Koha e pandëshkueshmërisë duhet të marrë fund. Ka ardhur koha që çdo zyrtar i lartë i cili abuzon më fondet publike, të ardhurat e qytetarëve të shkojë para drejtësisë. Nëse kërkon SPAK të ketë një provë konkrete, pikërisht sot në këtë rrugë këtu është prova konkrete se si abuzohet në pronat publike dhe siç keqpërdoren taksat e qytetarëve të Maliqit duke kryer punime skandaloze me qëllim që të ardhurat e qytetarëve të mos shkojnë në shërbim publik, por të shkojnë në xhepin e kryetarit të Bashkisë së Maliqit.

(d.xh/ Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb