Nga dita e sotme, hyrja e Tiranës ka një pamje tjetër dhe një rrugë sipas të gjithë standardeve që ofron një balancim të korsive të automjeteve me qytetarët që përdorin transportin publik, biçikletat apo trotuaret. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, në përurimin e rrugës “Dritan Hoxha” ka zgjedhur të pedalojë me biçikletë së bashku me një grup të rinjsh duke përshkruar të gjithë korsinë e dedikuar për ta.

Kryebashkiaku Veliaj njoftoi se rruga “Dritan Hoxha” është me 6 korsi, nga të cilat tre janë për automjete, një për autobus, një për biçikletë dhe një për këmbësorët. “Ne besojmë që një qytet i mirë nuk është ai ku çdo njeri ka makinë dhe të pasurit kanë makina të shtrenjta, por ku çdo njeri pavarësisht se është i pasur apo në gjendje jo të mirë ekonomike, të ketë mundësi të ndihet i barabartë. Duke i dhënë tre korsi këmbësorëve, çiklistëve dhe atyre që përdorin transportin publik po japim edhe vizionin tonë se cili është qyteti që duam të ndërtojmë dhe qyteti ku besojmë”, deklaroi Veliaj.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës njoftoi se ky sistem i paraprin reformës në transportin publik. “Vitin tjetër do të kemi një sistem të ri të linjave të autobusëve dhe elektronik të biletës, që do të favorizojë studentët dhe pensionistët. Ky fillim i ri i kësaj arterie të korsive të dedikuara të autobusëve e biçikletave i paraprin dhe projektit për modernizimin e transportit publik”, deklaroi Veliaj.

Ai falënderoi të gjithë bizneset për ndihmën e dhënë dhe që mundësuan këtë investim në kushtet kur buxheti i bashkisë është gjendur në vështirësi financiare. “Nuk ia dilnim dot vetëm me buxhetin e Bashkisë ku s’kishim para as për të paguar rrogat, ndaj u jam sot shumë mirënjohës të gjithë bizneseve që në total kanë kontribuar në vlerë financiare, duke sponsorizuar segmente të ndryshme të kësaj rruge, mbi dy milionë dollarë. Njëra prej tyre është Banka Raiffesien dhe dua ta falënderoj shumë edhe për avokatinë që bën për biçikletat dhe për një qytet të shëndetshëm, por mbi të gjitha për një korporatë e cila ndjesinë komunitare dhe përgjegjësinë sociale e ka po aq të rëndësishme sa të bërit biznes”, tha Veliaj. Sipas tij, për çështje të transparencës do të ketë një ceremoni të veçantë me të gjithë kompanitë që bënë të mundur investimin në kushtet kur me fondet e bashkisë nuk do të ishte arritur.

“Sot qytetit i kemi dhënë 4 kilometra rrugë biçikletash, korsi të dedikuara autobusësh, infrastrukturë në trotuare dhe investimet e vitit tjetër, nuk do të ketë rrugë pa inkorporuar kanalizimet moderne edhe korsinë e biçikletave, trotuaret për këmbësorët. Do të sigurohemi që qyteti i së ardhmes është një qytet më human dhe njerëzor”, përfundoi Veliaj.

Për Drejtorin e Përgjithshëm të Raiffeisen Bank, Christian Canacaris, kjo fundjavë është e veçantë pasi përurimi i kësaj rruge përkon me samitin që do të zhvillohet në Paris me pjesëmarrjen e shumë presidentëve dhe kryeministrave për të diskutuar çështje të mjedisit dhe reduktimit të ndotjes. “Nëpërmjet këtij sponsorizimi në rrugën “Dritan Hoxha”, ne dëshirojmë të inkurajojmë të gjithë qytetarët të përdorin biçikletat në jetën e tyre të përditshme sepse në këtë mënyre ne do kemi ajër më të pastër për qytetin dhe do të ndihmojmë në zhvillimin social dhe mjedisor të komunitetit”, tha Canacaris.

Përfaqësuesi i Ecovolis, End Mato, deklaroi se biçikleta është vërtetuar tashmë se është një sinonim i shëndetit urban, i një qyteti të shëndetshëm, i një qyteti për qytetarët dhe njerëzit. “Ndaj me parimin “çfarë do mbjellim, do të korrim”, jemi të sigurt që duke ‘mbjellë’ korsi, do ‘korrim’ më shumë çiklistë, qytetarë të shëndetshëm dhe më pak ndotje e tym”, u shpreh Mato.

Synimi i Bashkisë së Tiranës është që të krijohet rrjeti minimal i çiklizmit në qytet dhe për të mundësuar që nga 0.4% të banorëve që përdorin biçikleta,  brenda një mandati të dhjetëfishohet në 4% të popullsisë që i përdor rregullisht ato.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb