NGA VJOLLCA KONGJONI

TIRANE- Çmimi i energjisë elektrike për konsumatorët familjarë dhe bizneset nuk do të ndryshojë, të paktën deri në fund të muajit qershor të vitit 2016. Në mbledhjen e fundit për këtë vit, bordi i komisionerëve të Entit Rregullator të Energjisë vendosi që tarifat të mbeten të njëjta, ndërsa pritet të rishikohen në gjysmën e dytë të vitit. Vendimi i ERE-s u mor pas performancës pozitive të kompanisë së Shpërndarjes së Energjisë me rritjen e arkëtimeve gjatë këtij viti.

Megjithatë kryetari i ERE, Petrit Ahmeti kërkoi nga OSHEE, që në fund të gjysmës së parë të vitit të ardhshëm, të pajisë me matësa elektrikë të gjithë klientët duke u dhënë fund faturave ofrofe.

“Enti rregullator la në fuqi çmimet e vitit të kaluar. Për një arsye shumë të thjeshtë sepse ka zhvillime të tregut të energjisë elektrike, të performancave të kompanive që ka qenë në sensin pozitiv”, tha Ahmeti.

Por sipas Ahmetit, pavarësisht performancës pozitive, operatorit të shpërndarjes do t’i duhet të përballet edhe me shlyerjen e detyrimeve të prapambetura, ndaj edhe një analizë më e mirë e kompanisë do të bëhet në pjesën e dytë të vitit, për të rishikuar kështu edhe njëherë tarifat për konsumin e energjisë nga konsumatorët.

“Por natyrisht ka edhe të ardhura që lidhen me prapambetjet e viteve të kaluara dhe identifikimi dhe një analizë më e mirë do të bëhet në gjashtëmujorin e dytë të vitit të vjen”, tha Ahmeti.

ERE kërkon gjithashtu ka OSHEE që në fund të gjashtë- mujorit të parë të 2016-ës të mos ketë më faturime afrofe, ndaj detyrë kryesore e kompanisë mbetet pajisja me matësa e të gjithë konsumatorëve dhe rritja e cilësisë së shërbimit ndaj klientëve.

“Ne do të miratojmë planet e investimeve të kompanisë së shpërndarjes dhe në fund të gjashtë mujorit të parë do të përfundojnë faza e faturimit afrove me qëllim që raporti me klientin të jetë i drejtë, në cilësi në e furnizimit”, u shpreh Ahmeti.

Aktualisht OSHEE e blen energjinë me 1.45 lekë për kilovat orë ndërsa për konsumatorët familjarë çmimi i energjisë shkon me 9.5 lekë për kilovat orë. Për sa u takon bizneseve çmimi i energjisë është i diferencuar sipas llojit të bizneseve dhe nivelit të tensionit.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb