Kryetari i Kuvendit, z. Gramoz Ruçi, priti sot Kryetarin e Federatës VATRA, z. Elmi Berisha. Në takim mori pjesë edhe Kryetari i Grupit Parlamentar të PS, z. Taulant Balla.

“VATRA është ndër organizatat më të vjetra të Diasporës shqiptare dhe ka një moshë me shtetin shqiptar. Diaspora shqiptare në ShBA është më e rëndësishmja dhe më e shquara për kontributet dhe prurjet e vazhdueshme në thesarin e kombit shqiptar si edhe ka shërbyer e shërben si një urë e bashkëpunimit shqiptaro-amerikan. Vëmendja e Kuvendit dhe e Qeverisë së Shqipërisë ndaj Diasporës është në rritje dhe për këtë dëshmojnë edhe politikat, legjislacioni, masat dhe institucionet e reja që janë krijuar. Diaspora, si një faktor dhe burim i nxitjes së zhvillimit të Shqipërisë. Ne vlerësojmë në mënyrë të veçantë mbështetjen dhe kontributin e VATRËS për pavarësinë e Kosovës, njohjen dhe anëtarësimin e saj në organizatat ndërkombëtare.”, vuri në dukje Kryetari i Kuvendit, z. Gramoz Ruçi.

Kryetari i Federatës VATRA, z. Elmi Berisha, falenderoi Kryetarin e Kuvendit, z. Ruçi për vlerësimin e kontributit të Federatës dhe nënvizoi se VATRA, si një institucion i fuqishëm moral i shqiptarëve, do të jetë gjithmonë në mbështetje të Shqipërisë dhe Kosovës si edhe institucioneve të tyre, për fuqizimin e bashkëpunimit me ShBA, rritjen e kontributit të Diasporës shqiptare në zhvillimin e Shqipërisë dhe Kosovës si edhe përshpejtimin e integrimit europian.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb