SHKUP-Pas vendimit të sotëm të Gjykatës Kushtetuese maqedonase, kryeparlamentari i Maqedonisë, Trajko Veljanovski ka thirrur parlamentin me të vetmen pikë të rendit të ditës, ndryshimin e Kodit Zgjedhor me procedurë të përshpejtuar për shfuqizimin e pikave me të cilat zgjedhjet parlamentare do të mbaheshin më 5 qershor.

Projektligji për ndryshimin e Kodit Zgjedhor u dorëzua nga koordinatori i grupit parlamentar të Bashkimit Demokratik për Integrim, Talat Xhaferi dhe nuk përmban datë të caktuar për zhvillimin e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.

“Shpreh bindjen time se vetëm përmes sendërtimit të marrëdhënieve të ndërsjella ndërmjet të gjithë faktorëve relevantë në shtet, në mënyrën më të mirë të mundshme do të ndihmohet në drejtim të realizimit të prioriteteve strategjike të Maqedonisë siç janë pa dyshim, anëtarësimi në NATO dhe BE, avancimi i marrëdhënieve strategjike me SHBA-në si dhe krijimi i të gjitha parashtresave për zhvillim ekonomik, social dhe gjithëpërfshirës të Maqedonisë”, thuhet në njoftimin e Veljanovskit.

Gjykata Kushtetuese e Maqedonisë vendosi sot që të fillonte procedurat për vlerësimin e kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë së vendimit për shpërndarjen e parlamentit të Republikës së Maqedonisë dhe miratoi vendimin e përkohshëm me të cilin ndërpriten të gjitha veprimet zgjedhore.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: