KOSOVË-Kreu i delegacionit të Parlamentit të Kosovës për Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit (MSA), Memli Krasniqi, tha se mbledhjet e ditëve të fundit kanë patur tipologji të ndryshme, duke përfshirë diskutimin e shumë temave.

Sipas tij, çështjet me të diskutueshme ishin marrëdhëniet me Bashkimin Europian me Kosovës, si dhe dialogu për normalizimin e raporteve  me Serbinë.

Në një prononcim, Krasniqi tha se  gjatë dy ditëve të mbledhjes së pestë të MSA-së është diskutuar për krimet e luftës dhe rrugën drejt pajtimit, zhvillimet në ekonomi, për sundim të ligjit dhe çështje të liberalizimit të vizave.

“Falënderimin tonë për mbështetjen e madhe që delegacioni Parlamentit Evropian në këtë Komision ka dhënë në vazhdimësi Kosovës, duke përfshirë edhe në votimin e fundit në PE për ta aprovuar lëvizjen e lirë për qytetarët e Kosovës, por edhe për një sërë çështjesh të tjera”, tha ai.

Ndërsa, kryetar i delegacionit të Parlamentit Evropian, Tonino Picula, tha se Kosova do të vijojë të jetë pjesë e agjendës së Bashkimit Europian.

“Sot, ne dëshmojmë edhe një herë se pavarësisht të gjitha dallimeve, ne jemi në gjendje të njohim atë që ka rëndësi dhe ajo që ka rëndësi është që Kosova të jetë në Evropë, ta shtyjmë Kosovën përpara dhe të mbajmë Kosovën sa më lart në agjendën e Bashkimit Evropian në rrethana të vështira, sepse e dini se çfarë po ndodh në Bashkimin Evropian. Zgjerimi është i mirëpritur nga një pjesë e Bashkimit Evropian, ndërsa nga pjesa tjetër le të themi se vihet në  pikëpyetje”, tha mes tjerash Picula.

(n.m/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb