Kryetari i Qendrës për Ndikimin Hebre, zoti Robert Singer, në një intervistë për News 24, tha se Shqipëria është një vend unik në botë, që udhëheq me shembullin e saj për mbështetjen që i ka dhënë Izraelit por edhe me një ndër vlerat me të veçanta që ka: Harmoninë fetare! E për këtë shqiptarët duhet të jenë krenarë dhe ta mbajnë këtë vlerë si thesar!

Singer tha se shumë të rinj hebrenj europianë sot, nuk ndihen më të lirë dhe të sigurt kur ecin rrugëve të Europës dhe duan të emigrojnë por në qytetet shqiptare komuniteti i vogël hebre ndihet i sigurt ndryshe nga çfarë ndodh në Europë.

Ai shtoi se ky komunitet është integruar 100% në shoqërinë shqiptare dhe kjo ja mbush zemrën me gëzim. Ndiqni intervistën dhënë për gazetaren e News 24 Aurora Golemi…

Intervista:
-Zoti Singer, ju falenderoj që pranuat ftesën për të folur për televizionin Neës 24, është kënaqësi që ju kemi këtu sot…

Robert Singer: Është kënaqësi dhe për mua Aurora! Faleminderit që me keni ftuar.

– Zoti Singer, cili është qëllimi i vizitës suaj në Shqipëri?

Robert Singer: Qëllimi kryesor i vizitës sime është për t’ju thënë faleminderit. Duam që t’ju falenderojmë për gjithçka që lidh të dy kombet tona, shqiptaret dhe hebrenjtë. Por edhe për gjithçka që ju keni bërë në momente të ndryshme të historisë, por në veçanti gjatë luftës së Dytë Botërore. Gjithashtu para një viti e gjysmë Parlamenti shqiptar, organizoi një forum Ballkanik, i cili është bërë tashmë mjaft i famshëm për të luftuar antisemitizmin. Në fakt ishte një aktivitet mjaft fantastik, i cili u ndoq në kohë reale nga 30 milion teleshikues. Kjo pra është arsyeja që unë kam ardhur, për t’ju thënë faleminderit!

-Vendet tona kanë qenë partnerë në tregti për një kohë të gjatë. Një pjesë e madhe e tregtisë është përqendruar tek siguria, energjia dhe uji. Si e shikoni perspektivën në të ardhmen?

Robert Singer: Në fakt ne kemi një bashkëpunim vërtetë fantastik ndërmjet popujve tanë. Këtë e kam dëgjuar përgjatë gjithë ditës në takimet që unë kam pasur. Pra, ne kemi marrëdhënie të shkëlqyera. Janë edhe disa marrëveshje dy paleshe, të cilat janë nënshkruara mes Shqipërisë dhe Izraelit. Ne, në Izrael kemi një sektor mjaft të avancuar të teknologjisë më të fundit që ekziston, dhe jam i sigurt që shumë nga këta sektorë që ju përmendët do të bëhen pjesë e bashkëpunimit tonë në të ardhmen.

-Zoti, Singer ju jeni Kryetari i Qendrës për Ndikimin Hebre. Mund ta na tregoni më shumë rreth qendrës që drejtoni?

Robert Singer: Qendra është krijuar para një viti e gjysmë. Është tashmë një qendër mjaft e rëndësishme, pasi ne bashkëpunojmë me organizata ndërkombëtare si dhe me misione të ndryshme diplomatike qofshin këto edhe organizata ndërkombëtare në Izrael, agjenci të Organizatës së Kombeve të Bashkuara. Qendra jonë ka bashkëpunime edhe me shoqërinë civile, ne organizojmë aktivitete të ndryshme për komunitetin diplomatik në Izrael. Kam kënaqësinë tu them se ambasadori i Shqipërisë në Izrael po bën një punë vërtetë fantastike dhe është në qendër të këtyre aktiviteteve, të cilat organizohen shpesh.

-Si promovon kjo qendër marrëdhëniet diplomatike dhe kulturore ndërmjet Izraelit dhe Shqipërisë?
Robert Singer: Në fakt, qendra do të fillojë të promovojë marrëdhëniet tona pasi ky është një nga qëllimet kryesore dhe të vizitës sime në Shqipëri.Shqipëria në fakt ka një ambasadore të shkëlqyer, edhe në komunitetin botëror të hebrenjve. Ajo është zonja Valentina Leskaj, Zonja Leskaj e përfaqëson Shqipërinë pasi është Ambasadore e Posaçme e Shqiperise per antisemitizmin. Kam pasur kënaqësinë që bashkë me të, të isha në takime bashkë me ministren e Arsimit, me nënkryetarin e Bashkisë së Tiranës, me ministren për Rininë, do të kemi takim edhe me rektorin e Universitetit të Tiranës, si edhe takime në Ministrinë e Punëve të Jashtme si dhe me institucione të tjera. Besoj dhe jam i sigurt se të gjitha këto takime, do të krijojnë vërtetë themelin e duhur të kësaj pune promovuese që ne do të vazhdojmë të bëjmë edhe në të ardhmen.

-Ju thatë se misioni juaj është afrimi i vendeve tona? Si po planifikoni ta vini në jetë atë mision?

Robert Singer: Në fakt synimi është që ne jo vetëm t’i kemi më pranë vendet tona, por që edhe popujt tanë të jenë më afër njëri-tjetrit. Kjo ka qenë pjesë e misionit të vizitës sime. Unë jam shumë i kënaqur me takimin që pata me ministren e Arsimit zonjën Evis Kushi. Ne biseduam për idenë që studentëve apo delegacioneve tu ofrohet mundësia që të shkëmbejmë përvojat. Shqipëria është vërtetë një vend unik, e them këtë pasi Shqipëria në kurrikulën e vet mësimore ka tashmë në një pjesë të leksioneve, pjesë të veçanta nga historia e hebrenjve dhe të vendit tonë. Në këto pjesë tregohet se cila është historia jonë, se çfarë ka ndodhur gjatë Holokaustit në këtë rajon. Mendoj se janë shumë pozitive për të na sjellë më afër si dy kombe. Në fakt Shqipëria është vërtetë vend i veçantë. Unë gjatë gjithë jetës sime kam udhëtuar shumë, kam vizituar pothuajse të gjitha vendet e botës. Ajo që ndodh shpesh është që ti shkon në një vend shumë të bukur, por që njerëzit nuk janë aq të mirë. Ose janë njerëzit të mirë por vetë natyra e atij vendi që t’i viziton nuk është aq i bukur. Ndërkohë që Shqipëria nuk është vend i tillë. Shqipëria është vërtetë vend shumë i bukur, një vend i mrekullueshëm, populli shqiptar është i mrekullueshëm. Ndaj shpresoj që pas kësaj vizite Shqipërinë ta vizitojnë më shumë izraelitë.

-Le të përmendim studentët, e di që ka një marrëveshje mes dy universiteteve, universitetit Bar-Ilan dhe atij të Tiranës?
Robert Singer: Po është e vërtetë është nën shkruar kjo marrëveshje mes universitetit të Tiranës dhe universitetit Bar-Ilan, i cili është një nga universitetet më të mira në vendin tonë. E di që gjatë muajve në vijim ata do të kenë edhe shkëmbime akademike, do të organizohet edhe një konferencë shumë e rëndësishme sa i përket luftës kundër antisemitizimit. Të gjitha këto e bëjnë Shqipërinë një vend që udhëheq në këtë çështje.

-Por sa shqiptare do të përfitojnë nga Qendra Për Ndikimin Hebre në të ardhmen?
Robert Singer: Në fakt jo vetëm shqiptarët por edhe hebrenjtë do të përfitojnë. Pikërisht përmes qendrës shpresojmë që në Izrael do të mësohet më shumë për Shqipërinë, i gjithë komuniteti i hebrenjve do të mësojë edhe në sajë të punës që do të vijojë të bëjë qendra për ndikimin hebre, për luftën kundra antisemitizimit.
Për shembull ne kemi të bëjmë me më shumë se 500 Organizata Jo Qeveritare, qofshin këto myslimane, të krishtera, hebre. Unë besoj se do të përfitojnë të gjitha palët. Madje mund të them se jo vetëm shqiptarët do të përfitojnë nga ky ekspozim por edhe ne hebrenjtë, pasi në do të mësojmë më shumë për vendin tuaj të mrekullueshëm, për historinë e kombit tuaj. E në këtë mënyrë të dyja palët do të përfitojnë.

-Ju keni lindur në Ukrainë, e më pas keni emigruar në Izrael në moshën 15 vjeçare. Keni shërbyer në Forcat e Armatosura Izraelite dhe latë ushtrinë në gradën e nënkolonelit, keni shërbyer në zyrën e Kryeministrit Izraelit në poste të larta si këshilltar. Si ndiheni kur shikoni këtë luftë të tmerrshme në zemër të Europës.

Robert Singer: Mendoj se 80 vjet pas Luftës së Dytë Botërore, ne e shikojmë veten sërish në një situatë të tillë. Në një situatë në të cilën 15 milionë persona janë shpërngulur, disa brenda Ukrainës, e të tjerë jashtë saj. Prandaj secili prej nesh duhet të bëjë më të mirën e mundshme për të ndihmuar së pari në aspektin e ndihmës humanitare, pjesë që në fakt po e bëjmë edhe ne me organizatat tona. Por megjithatë pjesa tjetër është që duhet të bëhet e pamundura që t’i jepet fund kësaj lufte, në mënyrë që paqja të rikthehet në atë vend kaq të bukur të Europës.

-Edhe presidenti i Ukrainës, Zelensky është hebre. Si e shikoni lidershpin e tij dhe a mendoni se Izraeli duhet të ndihmojë më shumë Ukrainën?
Robert Singer: Në fakt nuk mendoj se përkatësia e zotit Zelensky është e rëndësishme, pra nëse ai është hebre apo jo. E rëndësishme është që ai është Presidenti i zgjedhur i Ukrainës, ai përfaqëson Ukrainën dhe popullin e tij. Izraeli po ndihmon në mënyrën me të mirë të mundshme. Ajo çka mund të bëjnë shtetet e vogla si vendi ynë është që të ndihmojnë përmes ndihmës humanitare. Mund t’ju them se një spital izraelit është hapur në Ukrainën perëndimore, gjithashtu ne kemi ndihmuar qytetarët aty. Kemi pritur dhjetëra mijëra refugjatë ukrainas, të cilët kanë ardhur në Izrael. Disa prej tyre dëshirojnë të qëndron ë gjatë, por të tjera do të kthehen në Atdhe.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb