SHBA

Kryetari i sapo zgjedhur i Shoqatës Vatra, ambasador i ish-presidentit të Kosovës Ibrahim Rugova në zyrën e kongresmenit Bob Doll, biznesmeni i njohur Elmi Berisha ka folur sot për objektivat që ka si drejtues i një prej organizatave më të rëndësishme e më të vjetra të shqiptarëve në SHBA.

Në një intervistë për Zërin e Amerikës nga New York-u, Berisha që ka qenë kontribuues i kësaj shoqate tha se energjitë pozitive të shqiptaro-amerikanëve në SHBA duam t’i vendosim në dispozicion në vendit tonë.

Ai theksoi se Vatra do të promovojë çdo lider që vjen nga Tirana zyrtare e Prishtina zyrtare dhe se do jetë në mbrojtje të interesave të shqiptarëve.

INTERVISTA E PLOTË
Më 19 janar të këtij viti Federata Vatra mbajti në Michigan një Kuvend ku zgjodhi si kryetar të ri zotin Elmi Berisha. Me zgjedhjen e saj të re, Vatra duket se ka sot një shans të rëndësishëm për të ecur përpara si organizata më e vjetër e shqiptarëve të Amerikës. Zoti Elmi Berisha është një veprimtar i hershëm i komunitetit shqiptaro-amerikan.

Zoti Berisha ju vini në krye të organizatës në një moment jo të lehtë për të. Disa anëtarë të vjetër të saj janë përjashtuar dhe kanë shfaqur kundërshti. A keni ju një plan për ta unifikuar Vatrën? Si do ta bëni këtë?
Asnjë anëtar i Vatrës apo anëtarë të cilët e kanë kultivuar dhe e kanë suportuar Vatrën tash 50 vite nuk janë të përjashtuar. Është një keqkuptim në disa media dhe ju siguroj të gjithëve si në Amerikë dhe në viset shqiptare që një gjë e tillë nuk ekziston. Është një harmoni, gjithmonë ka mendime të ndryshme, prandaj Vatra është për mendime të ndryshme sepse e ka traditë që e lejon dhe krijon një thesar mendimesh të ndryshme për të mirën e bashkëkombësve tanë këtu në Amerikë dhe në viset ku jetojnë shqiptarët në Shqipëri e Kosovë e më gjerë.

Ju jeni një aktivist i hershëm i komunitetit dhe keni kontribuar materialisht për kauza të ndryshme. Jeni i pari nga Kosova që kryesoni Vatrën. Çfarë ju motivoi për ta marrë përsipër këtë barrëë?
Shqiptaro-amerikanët janë themeltar të shtetit të parë shqiptar. 100 vite më vonë shqiptaro-amerikanët janë pjesë e fuqishme e krijimit të shtetit të Kosovës. Këto energji pozitive të cilat kanë mbretëruar në 100 vite dhe pjesa tjetër e 30-vjeçarit të fundit, ende ekziston dhe unë mendoj që është e nevojshme që të vazhdojmë rrugën e prosperimit të kombit shqiptar dhe organizimit të shqiptaro-amerikanëve në Amerikë për të kontribuar më së mirë për vendin e origjinës.

Si mund të bëhet Vatra ombrellë e shqiptaro-amerikanëve pavarësisht pikëpamjeve të tyre dhe mendimeve që kanë për qeveritë në vendin amë?
Kur është krijuar Vatra nga Noli dhe Konica kjo ka qenë ideja themeltare e tyre. Pra Vatra të shërbejë si ombrellë e gjithë shqiptarëve të SHBA-ve dhe shoqatave të ndryshme të cilat kanë ekzistuar pas Vatrës. Unë mendoj që tani me energjitë e reja, mentalitetin e shekullit të 21 të cilin do ta promovoj unë dhe ekipi im do të krijojmë infrastrukturë apo mundësi të cilat do të jenë joshëse për gjeneratat e reja, vajzat dhe djemtë tanë të cilët janë të edukuar dhe të shkolluar dhe kanë mundësi që ta shtyjnë Vatrën edhe më tutje edhe më fuqishëm dhe t’i mbrojnë aspiratat, t’i mbrojnë të drejtat dhe ta vënë interesin e shqiptarëve atje ku e meriton.

Në komunitet ka pikëpamje të forta politike pro ose kundër kësaj qeverie në vendin amë…
Ajo gjithmonë do të ekzistojë sepse ka preferenca personale për partitë politike ose lidershipit në Tiranë apo në Prishtinë. Si do që të jetë, Vatra e shekullit të 21, unë dhe ekipi im, do të përqendrohemi pak më ndryshe. Ne do të promovojmë çdo lider dhe interes i cili vjen nga Prishtina dhe Tirana zyrtare dhe do t’i trajtojmë të gjithë me dinjitet sepse është e vetmja mënyrë që të krijojmë kredibilitet të mjaftueshëm në Uashington, duke mos u marrë me njëri-tjetrin por duke ecur përpara për një perspektivë më të përshtatshme.

Çfarë roli konkret, ose çfarë roli do të luajë realisht Vatra në Amerikë? A mund të jetë ajo një instrument influencimi pranë administratës amerikane, sepse nuk mund të ketë rol lobist por influencimi për sfidat e mëdha që kanë shqiptarët në Ballkan siç janë integrimi i Shqipërisë në BE apo normalizimi Kosovë-Serbi?
Sigurisht që ke të drejtë. Konica mendonte që Vatra duhet të ishte një ombrellë e gjithë shqiptarëve në Amerikë. Pas ombrellës, Konica dhe Noli e kuptonin fare mirë që Vatra duhet të lobojë, apo më mirë të them, influencojë sepse kjo përkon me interesin tonë. Vatra tani duhet të kthehet në rrënjët e saj, në substancën e saj, ajo është përkujdesja për interesat e shqiptarëve në Ballkan. Është koha që ndoshta Vatra të mendojë dhe të përqendrohet në të njëjtën faqe dhe në të njëjtat elemente me qeverinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës karshi bisedimeve që po vonohen dhe duhet të bëhen dhe të përfundojnë këtë vit me Serbinë dhe të cilat do të rezultojnë aty ku Kosova meriton të jetë.

Unë mendoj që duhet të kthehet përkushtimi i shqiptaro-amerikanëve, në këtë rast Vatra si ombrellë me të tjerët dhe t’i forcojmë edhe njëherë marrëdhëniet tona 100-vjeçare me Shtetet e Bashkuara dhe t’i vendosim atje ku duhet dhe ku është nevoja të jenë.

A e shihni ju Presidentin Trump si një shans për zgjidhjen e marrëdhënieve Kosovë-Serbi?
Unë ndihem shumë mirë dhe modest me politikën e Presidentit Trump. Unë mendoj që shqiptarët duhet të vetëdijësohen sa më parë. Të koordinohen si në Tiranë ashtu dhe në Prishtinë, por edhe një koordinim i ri dhe i shpejtë duhet të bëhet me mërgatën shqiptare të Amerikës. Dy shtetet shqiptare janë kontribut i mërgatës shqiptare në Amerikë. Ne jemi të gatshëm të kontribuojmë dhe të japim energjitë tonë pozitive rreth bisedimeve dhe mundësive që të krijojmë ura të reja dhe të ndërtojmë pa asnjë dilemë shtetin shqiptar, i cili ka kaluar një çik në zbehje për sa i përket njohjeve të reja apo mosnjohjeve ku shkaktar është dhe Serbia. Koordinimi me Vatrën do të hapë rrugë të reja dhe të fuqishme rreth sensibilizimit dhe forcimit të mëtejshëm të shtetit të Kosovës.

Zoti Berisha, si kryetar i ri i Vatrës, a shihni ju shanse për ngritjen e nivelit arsimor dhe kulturor të Vatrës duke ftuar në të anëtarë të rinj, kur dihet që në komunitet ka të rinj me kualifikime të larta, ka doktor shkencash, inxhinierë të zotë, operatorë në tregjet financiare etj?
Ky është qëllimi im kryesor! Qëllimi im kryesor është që të krijojmë një infrastrukturë e cila është e kapshme për shqiptaro-amerikanët ose të rinjtë e të rejat që jetojnë këtu. E vetmja mënyrë që Vatra mund të ecë në rrugën 108-vjeçare, është inkuadrimi sa më i shpejtë i të rinjve dhe të rejave të cilët janë në profile të ndryshme dhe shumë të suksesshme këtu në Amerikë. Shoh që në të ardhmen e afërt, e tërë Vatra do të kalojë në duart e të rinjve që janë në etapat më të larta të edukimit dhe zhvillimit ekonomik në Amerikë. Kjo do të thotë që do të ketë jo vetëm një impakt dhe lidhje të ngushtë të shqiptarëve këtu në Amerikë por do ketë dhe impakt pozitiv në ekonominë e shtetit të origjinës prej nga vijmë ne. Është shumë e lehtë që të organizohen dhe trajtohen gjërat ashtu siç duhet të trajtoheshin deri më tani.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb