Klotilda Bushka, kryetarja e re e Komisionit të Ligjeve, njëherësh deputete e PS-së deklaroi se maxhoranca i ka bërë një ofertë të sinqertë për bashkëpunim opozitës.
E ftuar në rubrikën ‘Opinion’ në ‘News24’ Bushka tha se synim i këtij mandati qeverisës është fokusi te qytetari dhe vijimi i zbatimit të reformave të ndërmarra deri më tani.

“Detyra e re është një sfidë, është përgjegjësi. Detyra shtohet dhe do të punoj me të njëjtin intensitet si mandatin e kaluar. Synimet i kemi të qarta. Një nga synimet është që t’i përgjigjemi besimit të qytetarëve. Ata presin nga ne më shumë. Që të rimëkëmbet ekonomia, pas sfidave të mëdha që kemi kaluar. Presin që qytetarët t’i ndjejnë reformat tona. Kemi sfida për të bërë administratën tonë model në shërbimin ndaj qytetarëve, për të parë fryte të çrrënjosjes së kulturës së pandëshkueshmërisë. Ne, qasjen tone drejt dialogut me opozitën, e kemi të vërtetë; po krijojmë premisat që të jetë Shqipëria e para. Unë besoj se tashmë janë kushtet dhe për sa na takon PS, maxhoranca, e ka të qartë që do të japë maksimumin drejt këtij objektivi.”, tha deputetja.

Në lidhje me çështjet që do nisë punën Komisioni, Znj. Bushka sqaroi se:
“Ne kemi një procedurë pune në Kuvend. Aktiviteti i punës miratohet nga seanca plenare. Aktet e para që do të shqyrtohen janë ato që lidhen me masat anti-covid dhe mbrojtjen e popullatës, siç është dhe vaksinimi, aktet e sjella nga Këshilli i Ministrave apo dhe nismat e deputetëve. Javën tjetër do të kemi një kalendar pune.

Për shtyrjen e afatit të vettingut Kryetarja Bushka sqaroi se:
Një nga shtyllat kryesore të reformës në drejtësi është ajo që lidhet me vettingun e gjyqtarëve dhe prokurorëve. Në mandatin e parë të mazhorancës socialiste, u krijua arkitektura ligjore e reformës në drejtësi, më pas në mandatin e dytë u punua për jetësimin e reformës, u krijuan organet e reja të drejtësisë dhe patëm rezultatet e para. Ky mandat i tretë do ta ketë reformën në drejtësi përsëri prioritet, duke mbështetur zbatimin e saj në respektim dhe të parimit të ndarjes dhe balancimit të pushteteve, për të rritur efiçencën në drejtësi, me qëllim që qytetarët të prekin rezultatet e drejtësisë së pavarur dhe të paanshme. Procesi i vettigut është një nga proceset më të rëndësishme të reformës, që ka funksionuar normalisht. Por nga të dhënat e raportuara rezulton se dicka më shumë se gjysma e subjekteve janë vetuar. Afati i mandatit të anëtarëve të KPK mbaron në qershor 2022. Por duke parë numrin e atyre që kanë ngelur pa u vettuar, ne besojmë se do të ishte mirë për interesin publik, të shtyhej afati, dhe kjo do të kërkojë ndryshime kushtetuese. Jo vetëm për hir të votave që kërkohen nga opozita, por dhe për faktin se reforma ka pasur consensus të gjerë në fillim kur u miratua, duhet që kjo çështje të dakortësohet me opozitën.
Për vonesat në procesin e vettingut: Të gjitha këto analiza janë duke u kryer. Organet e vettingut nuk u ngritën në kohë. Pjesa e plotësimit të trupave të veting me administratë mori kohën e vet. Qëllimi kryesor është që të kemi të njëjtin standard dhe për ata që e presin këtë proces, dhe për ata që e kaluan. Kjo do të ishte në të mirë të interesit publik dhe të drejtësisë. Konsultimet për këtë çështje nuk kanë nisur ende. Ne do të konsultohemi edhe me partnerët ndërkombëtarë. Reforma në drejtësi u miratua me konsensus politik dhe me mbështetjen e BE dhe SHBA. Ata kanë qenë në çdo hap, dhe ne zbatimin e reformës dhe do të vijojë ky model bashkëpunimi.

E pyetur për procesin e numërimit të votave që po kryen KQZ, Znj. Bushka shprehu se:
Kjo është procedure ligjore që kryen KQZ pas certifikimit të një rezultati zgjedhor. Proces perfekt nuk ka, por procesi zgjedhor që patëm këtë vit ka qenë ndër më të mirët. Procesi ka rregullat e veta, subjektet kanë të drejtën e ankimit. Merren vendime duke respektuar rregullat. Fjalët i merr era, ngelen proceset ligjore dhe në fund flitet me fakte (akuzat e opozitës për vjedhje të votës).”, pohoi Bushka.

Duke u ndalur te vendimi i kryetarit Lulzim Basha, i cili përjashtoi Sali Berishën nga grupi parlamentar, Bushka tha se kjo është një çështje e brendshme e PD.

“Problemet e PD janë çështje e tyre të brendshme. Janë vetë ata që militojnë në apo drejtojnë atë parti që mbajnë përgjegjësi për vendimet e tyre. Sa më takon mua, mund të them se në kuadër të politikës në vend, puna e opozitës në Kuvendin e Shqipërisë, duhet të jetë e ndarë nga problemet e partisë, pasi ata kanë një rol të rëndësishëm në komisionet parlamentare dhe kuvend, për çështje të cilat duhet të na fokusojnë te interesi qytetar, atyre që na kanë votuar. Ne si mazhorancë, duhet t’i krijojmë hapësirë opozitës që të tregojnë veten. Debati progres sjell dhe në fund të një pune ku jemi të gjithë së bashku, ne më shumë bëjmë për qytetarët. Oferta jonë e sinqertë për bashkëpunim me opozitën të përdoret realisht”, tha ajo.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb