Goli i Toni Kroos do të mbetet gjatë në kujtimin e futbolldashësve dhe jo vetëm atyre që janë tifozë gjermanë. Një harkim perfekt në minutën e 5-të shtesë dhe topi që ndalet në rrjetë për të ringjallur shanset për kualifikim të Gjermanisë dhe për të evituar një rezultat historik. Por gjërat mund të kishin qenë ndryshe, nëse Kroos do të kishte ndjekur planin fillestar, ku duhej të krosonte në zonë. Korrespondentët e “Marca” në stadium për ndeshjen Gjermani-Suedi, kanë folur me protagonistët dhe kanë mësuar prapaskenat dhe dialogët e atyre momenteve të ethshme të fundit të takimit për një episod që do të hyjë në historinë e futbollit. Gjithçka fillonte me thirrjet e Mats Hummels nga pankina. “Toni, krosojë mirë. Krosoje mirë!”, ishte nxitja e tij për shokun e skuadrës, në një skemë të përdorur disa herë në stërvitje. Ndërkohë, Manuel Neuer i kërkoi leje Joakim Low që të dilte në sulm, për të goditur ai topin në qendër të zonës. E ndaloi vetëm zëvendëstrajneri, kur kishte bërë thuajse gjysmën e fushës dhe i kërkoi të mos rrezikonte kot kundërsulmin. Ndërkohë, Mario Gomez e sinjalizoi Kroos që të dërgonte topin në shtyllën e parë, kurse Myler në qendër të zonës, se në të dytën nuk do të mbërrinte kurrë meqë kishte shumë njerëz në zonë. Meqë gjermanët kishin dalë para, Suedia i ktheu gjithë lojtarët në qendër dhe la vetëm dy lojtarë në barrierë. Gabim fatal! Të vetmit që e dinin se topi do të shkonte direkt në portë ishin Kroos e Reus, të cilët prodhuan një moment historik për kombëtaren. Reus kërkoi ta gjuante vetë. “Ma lër mua, e gjuaj unë”, ishin fjalët e Kroos. “A do ta krososh?”, pyeti Reus. “Jo”, u përgjigj Kroos, “ta kaloj topin, ti e ndal dhe unë gjuaj”. Ai kishte analizuar menjëherë situatën dhe e kishte kuptuar se gjuajtja ishte e vetmja alternativë. “Kishim hedhur shumë krosime në qendër dhe duhej të ndryshonim plan”, shpjegoi ai pas ndeshjes. “Pastaj e dija që Suedia priste një tjetër krosim, ndaj e kisha të qartë që duhej të gjuaja. I thashë Markos që të më ndalte topin dhe pastaj… ishte gol. Na doli mirë”, tha mesfushori gjerman, si të ishte një gjë komplet normale. Nuk ishte asgjë normale. “Me siguri ai është mendja më brilante në futbollin botëror”, deklaroi Low pas ndeshjes. Si mund të mos i japësh të drejtë një trajneri kampion bote, i cili pa se ai gjenalitet i dha mundësinë kampionëve në fuqi të qëndronin në garë për një tjetër sukses.(o.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb