TIRANE- Kryqi i Kuq ka hartuar Planin Emergjent të Veprimit, mbi përmbytjet në Shqipëri, ku listohet edhe bilanci i pasojave që solli vërshimi i ujit në vend. Për shkak të reshjeve të dendura të shiut në ditët e fundit, të cilat varionin në mes të 160 dhe 200 mm në tre ditë, e barabartë kjo me raportin normal mujor, pjesët jugore dhe jug¬lindore të Shqipërisë janë goditur nga përmbytjet e mëdha, duke çuar në evakuimin e afro 850 familjeve nga shtëpitë e tyre që nga 1 shkurti 2015, thuhet në raportin e “International Federation of Red Cross And Red Crescent Societies”.

Situata në Vlorë, Fier, Berat, Elbasan dhe rrethin e Gjirokastrës është duke u bërë gjithnjë e më kritike, thuhet në raportin e publikuar online më datën 6 shkurt. Në raport thuhet se shirat e dendur e të pandërprerë për gati pesë ditë kanë rritur nivelet e lumenjve Vjosë, Devoll, Osum dhe Seman, të cilët kanë dalë nga shtrati duke shkaktuar përmbytje të mëdha në disa zona duke rrezikuar edhe disa autostrada të mëdha kombëtare.

Në raport shkruhet se rritja e lumenjve kërcënon komunat dhe fshatrat pranë veçanërisht në Levan, Darëzeze, Fitore, Poro, Delisuf, Akërni, Novoselë, Boçovë, Frakull, Bishan, Mifol, Ferras dhe Urë Vajgurore. Qeveria shqiptare ka mobilizuar Policinë e Shtetit, njësitë ushtarake dhe ekipet e emergjencës të cilat kanë ndihmuar familjet e prekura në zonat me rrezik të lartë, veçanërisht në evakuimin e njerëzve dhe bagëtisë.
Raportohet se pako ushqimore dhe ujë në shishe janë duke u shpërndarë tek familjet më të rrezikuara, me mbështetjen e kompanive private. Qeveria shqiptare po përgatitet të shpallë gjendjen e jashtëzakonshme për zonat më të prekura, thuhet në raport.
Sipas informacioneve paraprake të siguruara nga organizatat komunale të Kryqit të Kuq që operojnë në zonat e përmbytura, familjet e prekura kanë humbur rezervat e tyre dimërore ushqimore dhe bagëtinë e tyre, si dhe mobilie në shtëpi dhe pajisjet e tjera.

Kryqi i Kuq thotë se familjet e evakuuara janë strehuar kryesisht tek të afërmit e tyre. Disa stacione të energjisë dhe pikat e furnizimit me ujë është raportuar se janë përmbytur. Pra, shumë nga zonat e prekura nuk kanë energji dhe ujë të pijshëm, i cili rrit nivelin e ndjeshmërisë së shumë familjeve.
Autoritetet lokale janë përgjegjëse për sigurimin e ujit të sigurt për banorët. Kryqi i Kuq thotë se sipas të dhënave paraprake të marra nga Komisioni i Emergjencave dhe autoritetet lokale shqiptare, kjo është një listë e evakuimeve dhe dëmeve materiale: Sipas përditësimeve të shifrave 42.000 njerëz rezultojnë të prekur në të gjitha zonat e përmbytura; në Vlorë 15.800, në Fier 20.000, Berat, Elbasan dhe Gjirokastër në total 6.100 persona, respektivisht. 850 familje janë evakuuar deri tani. Rreth 2.000 shtëpi janë të rrethuara nga uji, shumica e tyre përmbytur tashmë dhe dëmtuar seriozisht në zonat e Vlorës 750 shtëpi, në Fier 720, në Berat 180, në Elbasan 260 dhe në Gjirokastër 90 shtëpi. Rreth 3.500 krerë bagëti janë mbytur; rreth 6.000 kafshë janë evakuuar. Një sipërfaqe prej 17.000 hektarë të tokës bujqësore është përmbytur: Në zonat e Vlorës 8.000 hektarë, Fier 7.000 hektarë, Berat 1.000 hektarë, Elbasan 600 hektarë, Gjirokastër 400 hektarë. Policia e Shtetit u bëri thirrje të gjithë qytetarët të cilët kishin planifikuar për të udhëtuar në jug të anulonin çdo lëvizje. Për më tepër shumë ura janë shkatërruar duke parandaluar trafikun në rrugët kryesore të komunikimit. Evakuimet emergjente janë duke vazhduar nga njësitë ushtarake, pas rritjes së nivelit të ujit, thotë Kryqi i Kuq në raportin e tij. Sipas raportit 246.846 CHF është buxheti total që Kryqi i Kuq do të shpenzojë për të ndihmuar 8,000 persona dhe 2,000 familje të prekura nga përmbytjet deri më 6 qershor.

[embeddoc url=”https://www.balkanweb.com/site/wp-content/uploads/2015/02/raportiiiiiiiii.pdf” viewer=”google”]

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb