Sezoni turistik tashmë është në pikun e vet dhe Ksamili po e ndjen mirë praninë e turistëve të huaj e vendas, të cilët e kanë zgjedhur këtë qytezë për të kaluar pushimet.

Por çuditërisht në një lagje, në qendër të Ksamilit, në atë “Hasan Tahsin” prej ditësh vihet re një problem mjaft shqetësues. Banorët ankohen për erën e rëndë që ndjehet, veçanërisht në orët e pasdites.

Sipas tyre era e rëndë vjen nga pusetat anës rrugës, për të cilat ata kanë gjetur një zgjidhje me mjete rrethanore, duke vendosur poshtë pusetave qese plastike me qëllim bllokimin e erës së rëndë që përhapet prej tyre.

Banorë por edhe pronarë hotelesh në këtë lagje në opinionet e tyre shkakun e largimit të pushuesve e gjejnë tek era e rëndë që çlirohet nga pusetat.

Rreth tre muaj më parë në Ksamil ka përfunduar një projekt i Komunitetit Europian dhe Qeverisë Shqiptare për sistemin e rrjetit të ujërave të bardha dhe të zeza si dhe janë vendosur 5 stacione pompimi për heqjen e ujërave të zeza. Projekti i përfunduar ende nuk është marrë në dorëzim nga Bashkia e Sarandës.

Jashtë kamerës administratorja e Ksamilit, Valbona Oruçi u shpreh se ishte në dijeni të shqetësimit të banorëve, por sipas saj, fajin duhet ta ketë Ndërmarrja e Ujësjellës Kanalizimeve në Sarandë.

Për administratorin e Ndërmarrjes së Ujësjellës – Kanalizime sh.a në Sarandë, Sheme Lulo, kjo situatë është rrjedhojë e punës së bërë nga disa banorë, të cilët në mënyrë të jashtëligjshme kanë lidhur shkarkimin e ujërave të zeza në kolektorin e ujërave të bardha. Për këtë një grup ekspertësh kanë shkuar në zonë duke marrë masat e duhura.

Do të pastrohet i gjithë rrjeti nga ujërat e zeza si edhe do të evidentohen të gjitha lidhjet në kolektorin e ujërave të bardha dhe për rrjedhojë do të priten. Kjo do të normalizojë situatën.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb