Komiteti Shqiptar i Helsinkit ka kërkuar sot zgjidhje të shpejtë dhe efektive për t’u siguruar fëmijëve me leuçemi medikamentin “L-Asparaginase”

“Duke marrë shkas nga reagimet e vazhdueshme të organizatës “Together for Life” lidhur me mungesën e medikamentit “L – Asparaginase” për fëmijët e sëmurë me leucemi në repartin e Onko-Hematologjisë në QSUT, Komiteti Shqiptar i Helsinkit ka zhvilluar disa takime me prindër të fëmijëve të sëmurë, personelin mjekësor të këtij reparti dhe përfaqësues të QSUT-së”, thekson KSHH në një deklaratë për shtyp.

Sipas KSHH, “Është për të ardhur keq që në takimet e zhvilluara, stafi i specializuar mjekësor ka hezituar të japë një përgjigje se çfarë pasojash mund të kishte për shëndetin e fëmijëve që vuanin nga leucemia mungesa e preparatit të mësipërm. Në një njoftim për shtyp, QSUT deklaron se bari L-Asparaginazë nuk është bar i regjistruar në Republikën e Shqipërisë dhe rezulton se përgjatë vitit 2015 e në vijim nuk ka pasur import të këtij bari në Shqipëri. Sasia e prokuruar e barit L-Asparaginazë në vitin 2014, QSUT ka pasur gjendje në përdorim dhe ka furnizuar në vazhdimësi deri në qershor 2016, shërbimet e Onko-Hematologjisë Pediatrike dhe Hematologjisë”.

“Përfaqësuesve të KSHH-së i është komunikuar se procedurat e zhvilluara për prokurimin e barit L-Asparaginase për vitet 2015-2016 kanë dështuar disa herë për shkak të mospjesëmarrjes në garë të kompanive farmaceutike që e tregtojnë këtë medikament”, thuhet në deklaratë.

Sipas KSHH, “reagimet publike të organizatës “Together for Life” kanë nxitur shumë njerëz që të ofrojnë para për blerjen e medikamenteve që u duhen këtyre fëmijëve. Ditën e djeshme, TV “News 24” shfaqi kronikën e një nëne që mbante në krah fëmijën e sëmurë me leucemi, e cila e përlotur i drejtonte thirrje institucioneve të larta shtetërore për sigurimin e L- Asparaginase, pasi ky bar ishte tepër i shtrenjtë dhe nuk mund të sigurohej me të ardhurat e kësaj familjeje”.

“KSHH dhe “Together for Life” vlerësojnë se, kur është çështja e jetës dhe e shëndetit të fëmijëve, sidomos me sëmundje të tilla, dështimi i procedurave të prokurimit për të siguruar këtë medikament nuk mund të përbëjë justifikim për publikun dhe në mënyrë të veçantë për prindërit e fëmijëve që vuajnë nga leucemia. KSHH dhe “Together for Life” i rekomandojnë Ministrisë së Shëndetësisë dhe QSUT-së që në mënyrë urgjente të gjejnë mundësitë dhe rrugët për garantimin e këtij medikamenti. Për hapat që do të ndërmerren, të informohet edhe publiku i gjerë. Dëshirojmë të tërheqim vëmendjen gjithashtu se deri më tani, reagueshmëria dhe ndjeshmëria e institucioneve shtetërore përgjegjëse lidhur me mungesën e barit “L – Asparaginase” për fëmijët e sëmurë nuk ka qenë në nivelin e duhur”, përfundon deklarata. /ATA/

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: