VLORE- Ushtria shqiptare po tregon potencialin e saj në kuadër të demonstrimit të forcës mbrojtëse dhe kapacitet e saj, jo vetëm në tokë por edhe me stërvitje të përbashkëta rajonale tashmë edhe në det. Stërvitja “Adrion Livex 2016” që u zhvillua në kuadër të rritjes së bashkëpunimit dhe sigurisë detare në detin Adriatik dhe ku Shqipëria u përfaqësua nga anija “Butrinti” me efektivët e saj ushtarakë shqiptarë, ishte jo vetëm prova më e qartë e profesionalizmit dhe e përkushtimit të Forcave të Armatosura Shqiptare si kontributor serioz e pjesë e Aleancës, por dhe një parapërgatitje rigoroze për të marrë pjesë përkrah vendeve aleate të NATO-s në misionet e saj të rëndësishme në Egje dhe Mesdhe.

Në ceremoninë e pritjes së anijes “Butrinti” të organizuar në bazën e Vlorës, merrte pjesë Ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli, Shefi i Shtabit të Përgjithshëm Gjeneralmajor Jeronim Bazo si dhe oficerë e ushtarakë të tjerë të FA. Ministrja Kodheli theksoi se “Anija “Butrinti” është pjesë e një stërvitjeje të madhe rajonale. Ne kemi deklaruar se parapërgatitemi për pjesëmarrjen tonë në misionet mbrojtëse të Aleancës në Egje dhe Mesdhe. Ne e kemi bërë një deklarim të tillë edhe në Ministerialin e Ministrave të Mbrojtjes së NATO-s, në Bruksel ku, Shqipëria do të marrë pjesë me një anije petrobot, e cila do të jetë me sistem rrotacioni, në mbështetje dhe në ndihmë të të gjitha misioneve në Detin Egje dhe në detin Mesdhe, që BE ka ndërmarrë prej shumë kohësh”. Kodheli nënvizoi faktin se “meqenëse rezulton të jetë e pamjaftueshme kjo asistencë dhe ky mision evropian në pellgun e Mesdheut ku ne jetojmë, me një problematikë të evidentuar tashmë për kalimin e refugjatëve prej më shumë se 6 muajsh, NATO ka marrë vendimin që të jetë prezente në suport të këtij misioni, me një mision të ri të saj. Sot prezenca e NATO-s, në këtë mision është e përbërë nga Turqia, Greqia dhe Gjermania, e ku Shqipëria si një vend i interesuar për të pasur kufij të sigurt detarë dhe për të ndihmuar krizën e refugjatëve dhe evituar tragjeditë që ndodhin në Mesdhe e Egje nga kjo krizë, do të jetë për herë të parë pjesë e një misioni detar”.

Sipas Ministres së Mbrojtjes “kjo është një parapërgatitje shumë e mirë që bëhet dhe vjen e ndarë në dy pjesë të rëndësishme që ka zgjatur dy javë në Brindizi dhe Ankona. Stafi bashkë me 18 anëtarë të ekipit, kanë bërë një parapërgatitje serioze të një rëndësie të veçantë”. Pjesë e kësaj stërvitje të veçantë kanë qenë vende të interesuara, NATO dhe partnere, në detin Adriatik, në detin Egje dhe Mesdhe siç janë Greqia, Italia, Kroacia, por dhe Mali i Zi, i cili është bërë pjesë e 29-es, ku pritet vetëm ratifikimi i vendeve anëtare. Znj. Kodheli nënvizoi rëndësinë e këtij hapi të rëndësishëm, për kalimin e pjesëmarrjes aktive në kuadër të NATO-s nga misionet mbrojtëse në tokë në ato në det, me qëllim që ne të mund të sigurojmë dhe kufijtë tanë detarë dhe ku sigurisht mund të asistojnë të gjithë ata që kanë nevojë për asistencë në det.

“Ne e kemi provuar qoftë dhe në historinë tonë se sa herë kemi bërë refugjatin , dhe këtë e kemi bërë duke kaluar detin, kemi pasur problemet tona, kemi pasur dhe tragjeditë tona. Ndaj, ne nuk duam që kjo të ndodhë me të gjithë ata njerëz që largohen nga vendet që kanë konflikte të armatosura apo me problem të ndryshme”, tha Kodheli. Ministrja e Mbrojtjes ka vlerësuar pjesëtarët e misionit, komandantin e Flotës Detare dhe Shefin e Shtabit të përgjithshëm të FA, për gjithë seriozitetin dhe impenjimin me të cilin kanë përcjellë jo vetëm tek aleatët tanë por dhe tek qeveria shqiptare, një sukses të tillë.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: