TIRANE- Kontigjenti i 5-të i Forcave të Armatosura shqiptare, i cili mori pjesë në misionin Resolute Support në Kabul, ku shërbeu për një periudhë 6-mujore, është kthyer në atdhe.

Në ceremoninë e organizuar me këtë rast ishin të pranishëm ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli, zëvendësshefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, gjeneral brigade Dedë Prenga, zv/ambasadori i Republikës së Turqisë në vendin tonë, Sinan Cem Baş, komandantë forcash, miq dhe të afërm të trupave të kthyera.

Ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli shprehu rëndësinë e pjesëmarrjes së Forcave të Armatosura shqiptare në misionet ndërkombëtare dhe theksoi se angazhimi në një mision të tillë tregon që Policia Ushtarake është në gjendje të përmbushë me sukses detyrat edhe në frontin, të cilin ajo e cilësoi si më të dhunshëm të operacioneve të drejtuara nga NATO.

“Suksesi në garantimin e sigurisë dhe ruajtjes së forcave aleate, dëshmon aftësinë dhe pjekurinë e aftësive të mirëpajisur dhe të mirëmotivuar të Policisë sonë Ushtarake. Me djersën, sakrificat dhe sukseset në përgatitjen dhe performancën e tyre, këta efektivë treguan se janë nga struktuarat më elitare të Forcave tona të Armatosura. Me pjesëmarrjen në këtë operacion Policia Ushtarake e zgjeron spektrin e pjesëmarrjes jo vetëm me operacione brenda vendit, por edhe në operacione për kriza anembanë globit në krah të aleatëve”, u shpreh Kodheli.

Në vijim të fjalës së saj, ministrja Kodheli risolli në vëmendje mjedisin e paparashikueshëm dhe goditjet që vijnë nga terrorizmi. Një situatë tillë, e cila përbën edhe sfidën e sotme të sigurisë, sipas Kodhelit, kërkon një përqasje gjithëpërfshirëse dhe kontribute të përbashkëta.

Duke falenderuar të gjithë trupat pjesëmarrëse në këtë mision, ministrja Kodheli vlerësoi kontributin e aleatëve për mbështetjen e dhënë. “Duke vlerësuar mbështetjen e vendeve aleate për forcat tona, veçanërisht atyre të disklokuara në operacione, do të dëshiroja pa dyshim të falenderoj, aleatët tanë turq për mbeshtetjen dhe ndihmën që i kanë dhënë forcave tona në Kabul”, tha Kodheli.

Në fjalën e tij përshëndetëse, zëvendësambasadori turk, Sinan Cem Baş, i dha rëndësi të veçantë marrëdhënieve të shkëlqyera mes Turqisë dhe Shqipërisë, në çdo në fushë dhe jo vetëm atë të mbrojtjes. Ai gjithashtu vlerësoi kontributin e Forcave të Armatosura shqiptare dhe rritjen e pranisë së tyre në misionet ndërkombëtare duke veçuar pjesëmarrjen e anijes së Forcës sonë Detare Oriku në detin Egje.

Kontigjenti i 5-të shqiptar pjesëmarrës në Resolute Support Mission përbëhej nga efektivë të Policisë Ushtarake dhe shërbeu nën komandën e Forcave të Armatosura turke në Kabul për një periudhë 6-mujore. Pak ditë më parë Shqipëria nisi drejt Afganistanit 2 kontigjente të tjera, të cilat gjithashtu do të shërbejnë për rreth 6 muaj në Kabul dhe Herat.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb