Gjykata e Tiranës vendosi të administrojë si provë, pamjet filmike të vrasjes në mënyrë makabre të Marvi Mihalit. Kërkesa për marrjen e kësaj prove ishte paraqitur nga prokuroria, megjithatë avokatët kundërshtuan ashpër marrjen e kësaj prove, me argumentin se nuk ndryshon asgjë në proces. Kjo solli reagimin e ashpër në sallën e gjyqit të prindërve të viktimës.

Gjatë seancës, avokati Agron Gurabardhi tha se do të dorëzojë dy vëllezërit Marsel dhe Kridens Alla, të cilët janë në arrati me qëllim që të japin versionin e tyre për ngjarjen.
“Unë si avokat kam kërkuar që ata të vijnë këtu. Pastaj ata do vendosin nëse duhet të vijnë apo jo. Unë i kam kërkuar që të vijnë sepse jam i bindur në pafajësinë e tyre për këtë akuzë”, tha avokati Gurabardhi.

Në seancën e radhës pritet që të japin dëshmitë e tyre edhe dëshmitarët e thirrur nga gjykata. Marvi Mihali u godit me thikë korrikun e vitit 2017 dhe ndërroi jetë për shkak të plagëve të marra pas një konflikti për një karikues telefoni mes një mikut të tij dhe Dejvi Bitrajt.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb